Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ka kërkuar të mbahet një minutë heshtje në Kuvend në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e djeshme në Tiranë, ku humbi jetën një 14-vjeçar.
“Ishte një ngjarje më e rëndë se sa e kishim imagjinuar dje, sepse ishte e paralajmëruar. Ishte një ngjarje në oborrin e shkollës, ku ishin njoftuar mësues, drejtor, oficerë sigurie. Kishte që të premten që ndodhte dhe nuk reagonte e nuk bënte gjë askush.
Uroj që ministrja Manastirliu, e cila nuk ndodhet këtu, të jetë duke shkruar dorëheqjen. Më vjen shumë keq që ne duhet të kthejmë kokën nga arsimi vetëm kur ndodh një rast i tillë. Ju flisnit këtu për paketën e sigurisë në shkolla, ku e çuat? Te thikat që hyjnë në shkolla, te hashashi dhe droga që hyjnë në shkolla? Kjo është paketa që marrin brenda çantës fëmijët tanë në shkolla. Si mund ta kalojmë këtë me normalitet dhe nuk duhet të kërkojmë përgjegjës.
Duhet të flasim ne, të jemi të parët që ngremë zërin. Doni ta amnistoni ministren Manastirliu dhe ministrin Hoxha? Ne flasim për një skandal vetëm kur ka një vdekje. Ne jemi vrarë si shoqëroi, nuk jemi më shoqëri nëse presim një vdekje që të flasim për çështjet. Jemi thjesht një grumbull njerëzish që jetojmë me njëri-tjetrin. Nëse nuk kemi sensibilitet edhe për këtë vrasje. ‘Fan Noli’ ishte shkolla e parë e rankuar për rezultate më të mira në mësime, imagjinoni çfarë ngjarje tragjike kemi në shkollat e tjera të vendit”, tha ajo.
Ndërkohë ministri i Shtetit për marrëdhëniet me Kuvendin, Taulant Balla, u shpreh se vaji, dhimbja dhe vdekja, ashtu sicc është bërë këto 30 vite, po përdoren për politikë.
Balla nënvizoi se duhet një qasje tjetër në perimetrin e sigurisë në shkolla dhe luftës kundër keqpërdorimit të rrjeteve sociale.
“Vaji, dhimbja, vdekja përdoren për politikë. Kërkuar përgjegjësisë për zbatimin e paketës së sigurisë në shkolla. Na duhet një qasje tjetër në perimetrin e sigurisë në shkolla dhe luftës kundër keqpërdorimnt të rrjeteve sociale. Sot kemi nevojë të bashkohemi për të kaluar propozimet e prezantuara prej kohësh. Duhen ndëshkuar maksimalisht ata që shkelin perimetrin e sigurisë, atyre që shpërndajnë lëndë narkotike pranë shkollave dhe ju keni qenë këtu kur detyrë të raportoja pranë jush numrin e lartë të personave të arrestuar se shisnin drogë pranë shkollave”, u shpreh ai.
(BalkanWeb)