TIRANË

Teksa na ndajnë vetëm tre javë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, palët vijojnë ende të mos gjejnë një zgjidhje sa i takon fletës së votimit, por edhe logos së Bindjes Demokratike, e cila është kërkuar të ndryshohet nga ajo e Partisë Demokratike, pasi janë të ngjashme. Këtë të diel, Kolegji Zgjedhor do të mblidhet sërish për të shqyrtuar padinë e PD kundër vendimit të KAS për fletën e votimit dhe logon e BD.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se trupa gjykuese e Kolegjit Zgjedhor, që do të shqyrtojë këto dy çështje thelbësore që i japin fund debatit mes palëve, do të përbëhet nga Gentjan Medja, Alma Kolgjoka, Manjola Xhaxho, Esmeralda Xhili dhe Asim Vokshi . Relatore e çështjes është gjyqtarja Manjola Xhaxho, ndërsa seanca pritet të nisë këtë pasdite, në orën 16:00.

Kujtojmë se një ditë më parë ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, dha një mesazh të fortë mbi debatin e zhvilluar në KAS lidhur me ngjashmërinë e logos mes Partisë Demokratike dhe Bindjes Demokratike, si edhe për vendimin e KAS për të ndryshuar fletën e votimit nga me emra, sikundër u miratua nga KQZ, në me numra, kërkesë kjo e PS. Ambasadorja Kim kërkoi që i gjithë procesi dhe kushtet e zgjedhjeve të bëhen me transparencë, pasi sipas kryediplomates amerikane, çdo gjë më pak do të ishte një hap prapa për demokracinë.

“Kujtesë: Është absolutisht e rëndësishme për autoritetet të sigurojnë që rregullat dhe kushtet e zgjedhjeve janë, në fakt dhe nga perceptimi, të drejta, në kohë dhe transparente. Çdo gjë më pak do të ishte në dëm të votuesve dhe një hap prapa për demokracinë.”-shkruan ambasadorja Kim në postimin e saj”, ishte mesazhi i ambasadores Yuri Kim.

Gjithashtu, një ditë më parë partia Bindja Demokratike pranoi vendimin e KQZ, duke depozituar pranë saj logon e saj të ristilizuar, ku në ndryshime përfshihej shkrimi i emrit ‘Bindja Demokratike’, ku fjala ‘Bindja’ ishte me shkronja më të mëdha se fjala ‘Demokratike’, ristilizimi i shkronjës B në sigël dhe mbyllja e saj totale me qëllim që shkronja B të ishte më evidente në sigël, si edhe ndryshimin e ngjyrës, duke e bërë nga bojëqielli në blu. Por, sigla e pasqyruar më pas në faqen zyrtare të KQZ për kreun e Bindjes Demokratike nuk kishte lidhje me siglën e stilizuar prej tyre, ndaj edhe iu drejtuan KAS për vendimmarrje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb