TIRANE

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi gjatë takimit me strukturat drejtuese të LSI së Tiranës, i ka bërë thirrje anëtarëve të LSI, por edhe të gjithë qytetarëve të mos rreshtin së mbështeturi dhe suportuari banorët protestues të Unazës së Re.

Kryemadhi tha se këta banorë janë heronj të vërtet, jo sepse ata dolën sot kundër Edi Ramës, por sepse janë bërë bashkë dhe po rezistojnë përballë dhunës dhe presionit qeveritar.

“Dhe një kërkesë tjetër do tju kërkoja. Të gjithë të mos ndalemi, ti bashkohemi protestës së banorëve të Unazës së Re. Të gjithë kemi nga një mik, nga një shok, nga një familjar që jetojnë atje. Janë njerëz si puna jonë, janë njerëz të cilët janë stërmunduar janë rraskapitur për të ndërtuar banesat e tyre, edhe bizneset, se nuk ka asnjë gjë të keqe, se nuk jemi në kohën e Partisë së Punës, që kush kishte biznese ishte kulak.

Jemi në demokraci, nëse ne diskutojmë sot edhe demokracinë, atëherë kot që rrimë këtu. Prandaj do tju bëj thirrje, kudo që jeni, çdo ditë, brenda mundësive, pa prishur programin tuaj, por ndonjëherë edhe duke e prishur programin dhe rutinën tonë, tju bashkohemi qytetarëve të Unazës së Re, banorëve të Unazës së Re, sepse ata janë heronj të vërtet.

Nuk janë heronj, sepse dolën sot kundër Edi Ramës, janë heronj sepse më shumë se 20 ditë kanë qëndruar të bashkuar, kanë qëndruar bashkë, ju kanë bërë ballë çdo presioni, çdo dhune, çdo intimidimi, çdo përçarje dhe kanë qenë një mësim i mirë për të gjithë. Sepse ne, nuk do të bashkohemi me ta, nesër do të jetë shumë vonë. Nesër do të jetë rradha e secilit qytetar të Tiranës, ku do të vijë dhe të trokasi qeveria e krimit, qeveria e trafikut për të zaptuar pronat e tyre. Prandaj çdo ditë e më shumë të përkrahim vëllezërit tanë”, tha Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Ndërkohë kryetarja e LSI-së ka kërkuar nga deputetët e Partisë Socialiste që të solidarizohen dhe të takohen me banorët e Unazës së Re, ashtu siç u trokitën në dyer për tu kërkuar votat në fushatën elektorale. Dua t’u bëj një thirrje kolegëve socialist, për ata socialistë që kanë mbetur në shpirt e në zemër, për ata socialistë që kanë trokitur në dyert e tyre në fushatat elektorale, duke filluar nga Musa Ulqini, Besnik Bare e shumë e shumë të tjerë të shkojnë e të paktën të pinë një kafe të zezë me ata banorë, të shkojnë e t’u thonë: Ne nuk kemi fuqi ta ndryshojmë këtë realitet, por jemi me shpirt e me zemër me ju. Të shkojnë e të thonë që ne nuk jemi dakord me këtë turp të Edi Ramës, sepse kjo tregon se u ka mbetur pak socializëm brenda shpirtit të tyre. Nëse ata nuk do ta bëjnë do të më vijë shumë keq, sepse vitet më të bukura të jetës sime ja kam kushtuar një partie, e cila vetëm për njerëzit nuk ka menduar, por ka menduar vetëm për veten e saj që prej themelimit të saj për një grup njerëzish dhe vazhdon të mendojë tashmë për një grup kriminelësh”, tha Kryemadhi.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: