SHKUP- Pas refuzimit të sotëm të presidentit maqedonas, Gjorge Ivanov për dhënien e mandatit partisë së dytë me arsyetimin për mbrojtjen e shtetit nga shqiptarët, lëvizja BESA tha se ka konstatuar se ky është një moment shqetësues për vendin.

“Në të vërtetë, Ivanovi është shkelësi më i madh i Kushtetutës, qoftë kur ia dha mandatin padrejtësisht kryetarit të VMRO-DPMNE-së ose kur nuk ia dha kryetarit të LSDM-së”, deklaroi BESA. “E kur kihet parasysh se ai përfaqëson institucionin më të lartë të vendit, ndërsa në emër të këtij institucioni ai gati sa nuk bëri thirrje për linçim të shqiptarëve të Maqedonisë, vetëm për arsyen e vetme se shqiptarët paskan nënshkruar një Deklaratë të Përbashkët të Partive Shqiptare, kjo është alarmante”, shtohet në kumtesën e BESË-s.

Prandaj, BESA i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, që ta kenë parasysh se vendimi i sotëm është rrezik potencial për komunitetin shqiptar në Maqedoni, prandaj ju bëjnë thirrje atyre që të ndërhyjnë në rikthimin e shtetit, të së drejtës, për të garantuar paqen dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe për ta vendosur shtetin në binarët e integrimit euro-atlantik.

“Po ashtu u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve për gjakftohtësi dhe maturi, si dhe për kujdes të veçantë, ndërsa Lëvizja BESA do të jetë këtu gardian i interesave shqiptare në Maqedoni. Me këtë rast kjo që ndodhë sot është edhe një argument më shumë se shpëtimi i vetëm këtij vendi është ridefimini i tij konform realitetit multietnik të vendit”, shtohet në kumtesë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: