Një rast i rëndë abuzimi seksual në një qendër kujdesi për personat me aftësi të kufizuara intelektuale ka tronditur Korenë e Jugut, pasi drejtori i institucionit është dënuar me 15 vite burg.
Bëhet fjalë për një qendër të financuar nga shteti në Incheon, ku, sipas vendimit të gjykatës, drejtori i identifikuar vetëm me mbiemrin Kim ka abuzuar seksualisht me tre gra që jetonin në institucion. Kim i ka mohuar akuzat dhe ka apeluar vendimin.
Një nga viktimat, Seo Mi-hyeon, tani në të 40-at, u paraqit në polici me fjalët: “Po vuaja nga brenda, kështu që erdha të tregoja historinë time”. Ajo kishte nisur të jetonte në qendrën Saekdongwon në vitin 2016 dhe dëshmoi se abuzimi kishte filluar menjëherë pas transferimit të saj në institucion.
Sipas dëshmisë së Seo-s, Kim hynte në dhomën e saj gjatë natës ose në orët e para të mëngjesit dhe e përdhunonte. Ajo tha se nuk kishte në institucion një person të rritur të cilit mund t’i besonte dhe se kishte frikë se pjesëtarët e tjerë të stafit nuk do ta ndihmonin. Për këtë arsye, sipas saj, abuzimi vazhdoi për gati një dekadë.
Rasti u bë publik në shkurt të vitit 2025, pasi Seo pësoi një plagë në kokë gjatë një përpjekjeje për t’i shpëtuar një tjetër sulmi seksual. Ajo dëshmoi se kishte përdorur duart për ta ndaluar Kim-in, ndërsa ai reagoi duke i hedhur një gotë.
Institucioni e dërgoi atë në spital dhe njoftoi nënën e saj vetëm pasi plaga ishte qepur. Nëna kërkoi të shihte pamjet e kamerave të sigurisë, por kërkesa u refuzua. Ajo vendosi më pas ta merrte vajzën e saj përgjithmonë në shtëpi.
Seo i tregoi nënës për abuzimin vetëm pasi kuptoi se nuk do të duhej të kthehej më në institucion. “Mendova se mund të flisja me siguri sepse më thanë se nuk do të duhej të kthehesha”, tha ajo përmes avokates së saj.
Kur u pyet se si kishte mundur të jetonte për kaq shumë vite me atë që po i ndodhte, përgjigjja e saj ishte e shkurtër: “Thjesht e durova”.
Pas denoncimit të Seo-s, hetimi policor u zgjerua dhe autoritetet identifikuan edhe dy gra të tjera që raportuan abuzim seksual nga Kim. Gjykata i konsideroi të besueshme dëshmitë e të treja.
Kim u dënua me 15 vite burg për përdhunimin e Seo-s dhe një tjetër viktime, ndërsa për gruan e tretë u shpall fajtor për një formë më të lehtë të dhunës seksuale, pasi gjykata vlerësoi se përdorimi i forcës apo kërcënimit në masën e nevojshme për të provuar pamundësinë e rezistencës nuk ishte vërtetuar mjaftueshëm.
Vendimi shkaktoi reagime të forta nga organizatat që mbrojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Aktivistët argumentuan se aftësia e një viktime për të rezistuar fizikisht nuk duhet të jetë kriter vendimtar për përcaktimin e një sulmi seksual, veçanërisht kur bëhet fjalë për persona me aftësi të kufizuara intelektuale ose vështirësi në komunikim.
Dyshime se ka më shumë viktima
Një prej shqetësimeve kryesore të ngritura nga grupet e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara lidhet me mundësinë që numri i viktimave të jetë shumë më i madh.
Një vlerësim i kryer nga një ekip i Universitetit Woosuk, me kërkesë të autoriteteve lokale, sugjeroi se të paktën 10 banorë të tjerë mund të kenë qenë viktima të abuzimit seksual nga Kim. Megjithatë, këto dyshime nuk u trajtuan në mënyrë të plotë gjatë gjyqit.
Hetuesit u përballën me vështirësi të mëdha në marrjen e dëshmive, pasi shumë prej banorëve kishin aftësi të rënda të kufizuara dhe probleme serioze në komunikim. Disa nuk mundën t’u përgjigjeshin pyetjeve, ndërsa të tjerë dhanë përgjigje që nuk lidhnin qartë me atë që po hetohej.
Profesor Jeon Ji-soo, drejtues i ekipit kërkimor të Universitetit Woosuk, tha se në praktikë po merreshin parasysh kryesisht dëshmitë e personave që mund ta përshkruanin abuzimin me fjali të plota.
Aktivistët e konsideruan këtë një problem serioz, duke argumentuar se institucionet shtetërore duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha për të kuptuar dëshmitë e personave që kanë vështirësi në komunikim.
