Skena që përloti të gjithë ishte ajo e një të vogli që i përlotur dilte nga rrënojat, teksa nën to, gjyshja e tij që e kishte mbajtur në prehrin e saj, kishte ndërruar jetë.


Lot, frikë, tmerre që vështirë të përshkruhen me fjalë se ç’mund të ketë kaluar një fëmijë krah gjyshes që nuk i është përgjigjur dot thirrjeve të tij. Djali është anëtari më i vogël i familjes Vata.


Nëna e tij, Ela Vata shpëtoi duke dalë gjallë nga ky tërmet i tmerrshëm. Por kjo familje, e cila humbi gjyshen, Hajrie Vata, 62-vjeçare. Gjyshes nga duart i iku djali 7-vjeçar. Rolejt Vata. Trupi i vogëlushit u gjet i pajetë nën rrënoja në orën 00:30 të 28 nëntorit, dy ditë pas tërmetit. E gjitha familja, Ela Vata, dy djemtë e saj dhe gjyshja kanë qenë në katin e katërt, dhe sapo kanë ndjerë lëkundjet e para kanë mundur të zbresin deri në katin e parë. Por në këtë përpjekje për t’i shpëtuar tërmetit, kanë humbur nga sytë djalin 7-vjeçar i cili ka shpëtuar dorën nga nëna e tij, Ela.


Vëllai i Rolejtit u nxor i gjallë në prehrin e gjyshes së pajetë. I ati i tij, Serveti Vata është kthyer në Thumanë nga Greqia pas tragjedisë. Ka pasur fatin e mirë të mos jetë në banesë natën e 26 nëntorit, bashkëshorti i Hajrie Vatës, Femi Vata, i cili ishte në punë roje në një subjekt në autostradë.

I intervistuar nga gazetari i emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” në News24 Ferit Lika, Femiu kujton orët e ferrit:
“Unë nuk isha në shtëpi, ra tërmeti i parë, më morën në telefon. Ata kanë qenë në katin e katërt. Gruaja me gjithë nusen, thanë mos ki merak, se kaloi. Pastaj nisi tërmeti i madh, në orën 3.54, nusja ime mori Rolejtin që humbi jetën. Ajo, nusja kishte nxjerrë pak dorën aman ndihmë thoshte se jam gjallë. Nipi bërtiste aman o gjysh, më nxirr. Gruaja ime ishte në krah dhe ja mbante kokën me duar, në fund më ka thënë kini kujdes çunin, për mua mos pyesni. Këtë e kishte dëgjuar nusja. Nusja tani është në spital. E kishte parë në ëndërr djalin, i kishte thënë o mami mos qaj për mua, jam me nënën atje. E kishte falënderuar në ëndërr për kostumin dhe i kishte fshirë lotët. Asnjëherë mos qaj i kishte thënë në ëndërr se unë jam shëndosh e mirë, kam nënën.”

Ndërsa Servet Vata babai i dy vogëlushëve tregon me pak fjalë orët rraskapitëse mes spitalit ku ishte e shtruar nusja dhe kërkimeve në rrënojat e pallatit “ Unë nuk u ndodha këtu, ishte nëna me nusen dhe dy djemtë e mi. Unë kam humbur nënën dhe djalin. Kemi qëndruar dy ditë të nxirrnim djalin. Natën shkoja tek spitali tek nusja, ditën vija këtu tek gërmadhat, ndiqja kërkimet kur do dilnin kufomat.”

“Unë tani tokë nuk kam, gjë nuk kam, vetëm këtë shpirt që më ka mbetur kam, shtëpia iku, një djalë e kam të sëmurë më të meta mendore, ky çun që më ka shpëtuar, ai është i frikësuar nuk hipën lartë në pallate, ka makthe natën, më thotë po shembet pallati. Për Elvis Naçin jemi kaq të gëzuar, e kemi parë në televizor çfarë të mirash ka bërë…” shprehet i përlotur gjyshi Femi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb