Mjaftuan më pak se 10 sekonda, që atleti xhamajkan Usain Bolt të skaliste emrin e tij në panteonin e historisë së garës së 100m, në Lojërat Olimpike 2016. Të dielën në mbrëmje Bolt fitoi medaljen e tretë të artë olimpike në garën e 100m, duke u bërë i pari atlet që fiton 3 medalje të arta olimpike të njëpasnjëshme për këtë disiplinë sportive të atletikës.
Xhamajkani Bolt përfundoi 100-metërshin me një kohë prej 9.81 sekondash duke mundur edhe rivalin e tij të përhershëm, amerikanin Justin Gatlin (9.89 sekonda). Bolt e tejkaloi Gatlin në 40-metërshin e fundit, për të fituar garën dhe medaljen e artë.
Reagimi i Bolt pas garës ka qenë diçka midis krenarisë dhe modestisë për 3 medaljet e arta të fituara në garën e 100m si edhe motivimi për të fituar 2 garat e ardhshme që e presin në këtë Olimpiadë (gara e 200m dhe gara me stafetë), sipas raportimit të “The Telegraph”
“Jam një legjendë e gjallë”, ka thënë ai, duke shtuar më tej: “Dikush tha se nëse fitoj këto 3 medalje të arta do të isha i pavdekshëm dhe kjo sikur më pëlqeu. Kështu që do t’i qëndroj kësaj.
“Jam i lumtur dhe krenar për veten. Nuk ishte një performancë e përsosur, por jam krenar për vetën. Desha të dallohesha nga gjithë të tjerët dhe kjo është Olimpiade, ku duhet t’ia dal. Kam ardhur në këtë Olimpiadë për të fituar 3 medalje të arta dhe t’i provoj vetes përsëri se jam ndër më të mirët”, – ka deklaruar Bolt.
Usain Bolt mban rekordin botëror për garën e 100m me kohën 9.58 sekonda.
“Kam bërë gjithçka që duhej të bëja. Ishte shumë e bukur. Por këto do të jenë Lojërat Olimpike të fundit ku do të marr pjesë. Nuk e di nëse do të tërhiqem menjëherë, por sigurisht nuk do të jem në “Tokio 2020”.
(d.b/i.sinanaj/BalkanWeb)
