TIRANE- Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka braktisur koalicionin qeverisës. Lajmi konfirmohet per ‘BalkanWeb’ nga gazetarja Elda Menga.

Ditën e sotme PDIU do të mbledhë në orën 17:00 Këshillin Kombëtar, ku do të caktohet qartë edhe vendimi sa i përket bashkëpunimit politik, në një kohë kur na ndajnë disa muaj nga zgjedhjet lokale. Vendimi për shkëputje nga qeverisja e Ramës vjen fill pas disa ngjarjeve që kanë ndodhur kohët e fundit, siç ishte largimi i dy deputeteve nga PDIU, ku Reme Lala iu bashkua PS dhe Elena Xhina në Elbasan, doli e pavarur.

‘Mollë sherri’ siç duket u bë Bashkia e Dibrës, shqetësime që i ka bërë publike edhe vet kryeministri Edi Rama. Ky i fundit shprehte shqetësimin e tij nga fuqizimi politik i drejtuesve lokalë të PDIU në Dibër.

Aktualisht deputet i vetëm i PDIU është Dritan Bici, i cili pak kohë më parë zuri vendin e Aqif Rakipit, pasi KQZ-ja i hoqi mandatin deputetit të qarkut të Elbasanit për shkelje të ligjit të dekriminalizimit.

Në mbledhjen e këshillit kombëtar pritet të votohet Shpëtim Idrizi si negociator me Partinë Demokratike, për një afrim të kësaj force politike me partinë opozitare më të madh në vend.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: