BRITANI E MADHE


Britania e Madhe theu rekordin e saj të nxehtësisë javën e kaluar me 38,7 gradë Celsius të regjistruar të enjten në Kopshtin Botanik të Kmbrixhit, njoftoi sot shërbimi kombëtar meteorologjik “Met Office”.


“Matja në Kopshtin Botanik të Kembrixhit është kontrolluar dhe përbën zyrtarisht temperaturën më të lartë të regjistruar në Britaninë e Madhe”, deklaroi “Met Office” në një komunikatë. Britania e Madhe kalon në fakt rekordin e mëparshëm të 38,5 gradë Celsius që ishte regjistruar në Faversham, në Kent, në gusht të vitit 2003.


“Britania e Madhe i bashkohet Belgjikës, Gjermanisë dhe Holandës duke thyer rekorde kombëtare të temperaturës”, theksoi “Met Office”. “Klima e Britanisë së Madhe është ngrohur që prej mesit të shekullit XX”, njoftoi Mark McCarthy, i qendrës kombëtare të informacionit mbi klimën, që varet nga “Met Office”.

“Ndryshimi klimatik ka rritur mundësinë dhe rrezikshmërinë e valëve të të nxehtit në Europë, duke rritur rreziqet për temperatura prej 40 gradë Celsius në Britani të Madhe”, theksoi ai.

(Balkanweb)