Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, vazhdoi dëshmia e Nazmi Malokut, i njohur si “Dëshmitari C” në rastin e njohur si “Drenica”. Maloku ka akuzuar ish-komandantin Sami Lushtaku për vrasjen e dy fëmijëve të tij gjatë lindjes, duke thënë se Lushtaku ia ka mbytur ata. Këto akuzat ai i ka bërë në kuadër të gjykimit për krim të organizuar dhe vepra të tjera penale ndaj Lushtakut dhe të akuzuarve të tjerë si Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.
Dëshmitari Maloku kishte filluar të jepte dëshminë e tij në seancën e 25 shkurtit 2025 dhe në seancën e fundit vazhdoi të pyetej nga mbrojtësit e të akuzuarve. Ai u shpreh për ngjarjen që ka lidhje me vdekjen e dy fëmijëve të tij gjatë lindjes, duke theksuar: “Sot e 100 vjet, ti m’i ke mbytë fëmijët”, duke iu drejtuar Lushtakut.
Në seancën e kaluar, Maloku tregoi se kishte ngritur padi ndaj dy mjekëve në vitin 2002, pasi dy fëmijët e tij kishin vdekur gjatë lindjes. Ai tha gjithashtu se ishte ftuar nga EULEX-i për të dhënë një deklaratë në lidhje me rastin, e cila më pas u ndryshua dhe doli si një deklaratë për “grupin Drenica”.
Në këtë seancë, Maloku u përball me reagimin e Lushtakut, i cili mohoi ta kishte njohur atë më herët, duke thënë se nuk e kishte takuar përpara se të vinte në gjykatë për rastin “Drenica”. “Unë e kam njoftë veç kur u ardhë në gjykatë kur ka qenë ‘Drenica’ (në proces gjyqësor), ma herët nuk e kam njoftë. Mu po më lë përshtypje kaq shumë që po din, madje edhe për ata serbët në Beograd. Po dinë edhe kush është ky person, edhe për të gjithë”, tha Lushtaku, sipas raporteve të “Betimit për Drejtësi”.
Dëshmitari Maloku i kundërpërgjigjej akuzave, duke i thënë Lushtakut: “Marre duhet me të ardhë”, dhe e kërkoi që të mos e quante spiun.
Në anën tjetër, Lushtaku tha se përmes avokatit të tij kishte kërkuar denoncim, duke theksuar se do të bëhet gjithçka për të zbardhur të vërtetën. Ai shtoi se nuk mund të fajësohej kaq lehtë për vrasjen e vitit 2000, duke theksuar që as nuk e njihte Malokun.
Lidhur me periudhën kur ai kishte përfunduar si dëshmitar i mbrojtur në rastin “Drenica”, Maloku mohoi se kishte dhënë ndonjë deklaratë për grupin Drenica. Ai përmendi se kishte tentuar të takohej me Lushtakun në Komunën e Drenicës për t’i treguar se çfarë po përgatit EULEX-i, por sigurimi nuk e kishte lënë të hynte. “Une nuk kam dhanë deklaratë për grupin Drenica, unë kam shku edhe në Komunë me i tregu Samisë se çka po përgatit EULEX-i, po nuk më ka lanë sigurimi me hy,” theksoi Maloku.