Vladimir Putin është shpallur si personi më me ndikim në botë duke mposhtur kështu edhe Barack Obaman, Papën dhe Dalai Laman, shkruan revista “Time”.Votimi nga lexuesit e “Time” për titullin e vitit 2015 u mbyll më 10 prill, votim në të cilin presidenti rus mori 6.95 për qind të votave nga e gjithë bota.
Edhe pop-yje të ndryshëm u radhitën mirë në këtë listë duke zënë disa vende në top-10, ndërsa vendi i dytë i takoi reperes CL nga Koreja Jugore e bendit të femrave 2NE1.

Nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve “Sputnik News”, ky pozicionim u cilësua si një fitore “e radhës” për Putinin, i cili ishte shpallur si personi më me ndikim në botë edhe nga “Forbes” nëntorin e vitit 2014.Presidenti rus ka qenë personi i vitit edhe më 2007 nga revista “Time” si dhe Personaliteti Ndërkombëtar i vitit nga “Time” më 2013.

Ky sondazh i 100 personaliteteve botërore, i votuar nga lexuesit e “Time”, i paraprin atij që redaktorët e revistës e bëjnë çdo vit, e që do të publikohet më 16 prill.Në top-5 radhiten Lady Gaga, Rihanna dhe Taylor Swift me 2.6 për qind, 1.9 dhe respektivisht 1.8 për qind të votave.

Sipas “Time”, të vetmet personalitete jashtë botës së show-bizit që përmbyllin top 10-shen janë përveç Putinit, Dalai Lama (1.7 për qind), Malala Yousafzai (1.6 për qind) dhe Papa Françesku (1.5 për qind).
Barack dhe Michelle Obama morën 1.4 për qind respektivisht 1.2 për qind të votave.
“Time” ka bërë me dije se shumica e votave (57.4 për qind) kanë ardhur nga brenda SHBA-ve.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb