Një lajm që të trondit shpirtin. Një grua, një emër, një legjendë – Tinka Kurti – është strehuar në një shtëpi të moshuarish. Aty ku qëndrojnë ata që nuk kanë më asnjë derë për të trokitur.

Zonja Tinka Kurti nuk është thjesht një aktore. Ajo është historia e gjallë e skenës dhe ekranit shqiptar. Është simbol i qëndresës, përkushtimit dhe ndjeshmërisë njerëzore në art. Në një kohë kur fjala “aktor” ishte më shumë mision sesa profesion, ajo dha gjithçka. Dhe e bëri me një dashuri që nuk kërkoi kurrë shpërblim.

A është kjo mënyra se si një shtet, një komb, një popull u kthen mirënjohjen një prej figurave më të ndritura të artit shqiptar?

Sot, në vitin 2025, ky shtet nuk gjeti një zgjidhje më dinjitoze për Tinkën. Në gjithë situatën e të moshuarve të vetmuar, duket më tragjike indiferenca ndaj figurave të mëdha të kombit.

Të gjithë të moshuarit kanë të drejtën të jetojnë mirë e me dinjitet. Të gjithë meritojnë kujdes, ngrohtësi e përkujdesje. Por ndër ta, ka disa që janë pjesë e historisë sonë të përbashkët, pjesë e identitetit kombëtar. Ata duhet të trajtohen me një tjetër qasje, jo sepse vlejnë më shumë si njerëz, por sepse kanë dhënë më shumë për të tjerët. E tillë është Tinka Kurti.

Disa vite më parë, ajo humbi të birin, një fatkeqësi që do ta rrëzonte çdo nënë. Por ajo qëndroi. Ashtu siç ka qëndruar gjithë jetën – në skenë, në shërbim të artit. Sot, ndërkohë që ajo ka nevojë për kujdes dhe dashuri, nuk është e drejtë që të përfshihet në një sistem që nuk e dallon dot thesarin nga rutina.

Ky nuk është thjesht një dështim njerëzor. Është një dështim institucional dhe moral.

Në çdo shtet që respekton veten, artistët, shkrimtarët, pedagogët, shkencëtarët, i trajton si gurë themeli të shoqërisë. Ata nuk harrohen, as nuk standardizohen me një shërbim minimal. Ata nderohen, marrin përkujdesje dhe përjetësohen në jetën publike.

Kjo ngjarje duhet të jetë një thirrje për ndërgjegjësim. Për Ministrinë e Kulturës, për institucionet e kujdesit social, për Qeverinë. Të mos lejojmë më që figurat e mëdha të kombit të përfundojnë në heshtje. Të krijojmë një model dinjitoz për pleqërinë në tërësi dhe një kujdes të veçantë për ata që i kanë dhënë emër Shqipërisë.

Sepse nuk është çështje privilegji. Është çështje përgjegjësie. Dhe një komb që nuk mban përgjegjësi për kujtesën e vet, është një komb që rrezikon ta humbasë shpirtin./Gazeta Panorama 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb