TIRANE- Tirana Bank ka reaguar në lidhje me ngjarjen që u denoncua dje në emisionin ‘Stop’, ku një emigrant denonconte zhdukjen e 150 milionë lekëve nga llogaria e tij bankare.

“Referuar rastit të djeshëm të prezantuar në emisionin investigativ “Stop” në TV Klan, në lidhje me çështjen e Z. Altin Baruti, Tirana Bank dëshiron të bëjë më dije për opinionin publik qëndrimin e saj:
Tirana Bank menjëherë sapo mori dijeni (në muajin Tetor 2015) në lidhje me pretendimet e Z. Baruti, ndërmori të gjitha hapat e nevojshme për investigimin e brendshëm të rastit në fjalë. Pasi u shqyrtuan të gjitha transaksionet e kryera nga ky klient, Tirana Bank gjykoi se çështja duhet ti drejtohet Prokurorisë.

Në datë 7 Dhjetor 2015, Tirana Bank ka kryer kallëzim penal në Prokurori për ish-drejtorin e filialit Lezhë, Z. Altin Jaku, me qëllim zbardhjen e të gjithë veprimeve të kryera prej tij në shkelje të ligjit, si dhe të mundësisë së kryerjes së këtyre veprimeve në bashkëpunim me z. Baruti. Dëshirojmë të theksojmë se, me iniciativë të Tirana Bank, çështja është për shqyrtim në Prokurorinë e Lezhës që prej vitit 2015. Tirana Bank në të gjitha kontaktet që ka patur me Z. Baruti nuk ka mohuar asnjëherë gatishmërinë e saj përkundrejt këtij klienti, por mbetemi në pritje të përfundimit të hetimeve nga ana e institucionit të Prokurorisë.

Tirana Bank dëshiron të sigurojë edhe njëherë të gjithë klientët se, përgjatë gjithë historikut të saj 20 vjeçar, është treguar gjithmonë korrekte dhe profesionale në përmbushjen e detyrimeve të saj kundrejt tyre, në përputhje më të gjitha kërkesat ligjore dhe rregullative të sistemit tonë bankar.”, citohet në reagimin e Tirana Bank.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb