Nga: AURORA GOLEMI*
TIRANE – Motoja e Tirana Business Park është: E nesërmja është sot! Mendohet të ndryshojë mënyrën e të bërit biznes në Shqipëri. Vetëm 20 minuta nga qendra e Tiranës dhe dy minuta larg nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, firma e fuqishme gjermane e ndërtimit, me emër në tregun botëror, “Linder Group” është drejt përfundimit të fazës së parë të projektit më të madh privat në Shqipëri, me vlerën e 100 milionë eurove. Në një sipërfaqe ndërtimi prej 177.000 metra/katrorë, kanë nisur të ngrihen 15 ndërtesa të dedikuara për ambiente zyrash, në shërbim të bizneseve, si dhe dy ndërtesa shumëkatëshe parkimi.
Në qershor të këtij viti, ky investim gjigand do të prodhojë mbi 1800 vende pune. Deri në fund të projektit janë parashikuar mbi 9000 vende pune.
Ndërtimi i Tirana Business Park është planifikuar të realizohet në pesë faza ndërtimi, të cilat do të përfundojnë në vitin 2022. Në përfundim të fazës së parë të punimeve, klientët e Tirana Business Park do të kenë mundësi të prekin një risi të teknologjisë së ndërtimit të urbanistikës, arkitekturës dhe pejsazhit.
Menaxheri i Përgjithshëm i Tirana Business Park, Michael Ulmer tregon detajet e projektit.
“Zhvillues e ndërtues gjermanë sjellin një standard, i cili është i orientuar për nga perëndimi. Kemi këto ndërtesa që ne ofrojmë, të cilat janë ashtu siç i kërkon tregu. Në fakt është shumë e rëndësishme që kjo që ne ofrojmë për kompanitë që vijnë ka një fleksibilitet, një elasticitet, pra këto kompani mundet të kërkojnë hapësira më të vogla apo të mëdha, qoftë duke zhvilluar biznesin, por lëvizin në të njëjtën adresë.”- deklaroi Ulmer.
Tirana Business Park është ndërtuar në mes të natyrës, pasi filozofia e paketës së dedikuar biznesit dëshiron motivimin për punonjësit e kompanive. Ajo është konceptuar si një qytet i gjelbër brenda qytetit, ku përfshin një ambient fleksibël zyrash dhe një infrastrukturë ultra moderne.
Sekretari i Shtetit Gjerman, Jorg Amussen dhe ministri i Mirëqenies Sociale Erjon Veliaj u shprehen optimistë për këtë investim të ri në Shqipëri, i cili padyshim ofron të nesërmen sot!
“Sigurisht që nuk e fsheh dot kënaqësinë si ministër pune sa herë që dëgjoj për shifra punësimi. Kompani të ndryshme do të mund të shfrytëzojnë këtë infrastrukturë të shkëlqyer për punë më të sofistikuara.”- deklaroi ministri Veliaj.
“Jam vërtet krenar për atë çka keni bërë këtu.”-u shpreh Asmussen.
“Ky do të jetë një projekt model, i cili do të shërbejë për të rrezatuar apo për të tërhequr edhe më tepër investime të tjera të këtij lloji në Shqipëri.”- deklaroi Helmut Hoffman, ambasadori gjerman në Tiranë.
Tirana Business Park nisi rrugëtimin drejt krijimit të një qendre kyçe ekonomike, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin Perëndimor dhe Europën Juglindore duke sjellë bashkë industri të ndryshme dhe duke krijuar modele tërheqëse për sipërmarrës të rinj.
(news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: