Drejtuesit e Tiranës janë në një dilemë të madhe, nëse këtë janar do të shesin tre titullarë apo do të mbajnë ekipin të plotë dhe të forcohen në janar.

Prej javësh, te Tirana kanë në tavolinë tre oferta për Ualid Zharmunin, Edison Kolën dhe Mahamadu Dembelenë. Për lojtarin e parë, i cili është edhe golashënuesi i skuadrës, ka një ofertë nga Danimarka. Për të janë dhënë 100 mijë euro, por klubi ka refuzuar ofertën paraprake të danezëve. Për Edison Kolën, i cili së bashku me Selmanin ka luajtur të gjitha takimet ka një ofertë nga Turqia. Një ofertë që qëndron në tavolinë prej kohësh.

Së fundmi, Dembeleja kërkohet nga Hartbergu dhe është gati të japë rreth 200 mijë euro. Të gjithë janë gati t’i marrin lojtarët që në janar. Në këtë moment, dilema është e madhe nëse bardheblutë do të pranojnë të arkëtojnë rreth 400-500 mijë euro dhe të mbushin arkat apo jo. Fakt është se nëse Tirana pranon shitjen e lojtarëve, shkatërron skuadrën dhe i duhet që gjithçka ta bëjë nga e para. Në janar është e vërtetë që të gjejë si mbrojtës dhe sulmues dhe shitja do të zbrazte ekipin. Edhe trajneri Gugash Magani është kundër këtij vendimi dhe e ka thënë fjalën e tij për dëshirat që kanë drejtuesit e skuadrës që të plotësojnë financat e klubit.

KRAHASIMI – Bardheblutë e Gugash Maganit mbyllën fazën e dytë me 18 pikë. Një mesatare prej një pike për takim, shumë pak për atë që janë mësuar vitet e fundit në Kategorinë Superiore. Kryeqytetasit janë shumë edhe nga sezoni i fundit. Pikërisht, në javën e 18-të të sezonit të vjetshëm, Tirana ishte skuadra e tretë në renditje. Jo vetëm kaq, por kishte 26 pikë në tabelën e klasifikimit. Një numër shumë i lartë pikësh në krahasim me Tiranën e sivjetshme. Bardheblutë këtë vit janë të shtatët me 18 pikë, pra deficiti është tetë pikë në renditjen e përgjithshme. Jo vetëm kaq, por, në krahasim me dy vitet e tjera, është akoma më larg. Në sezonin 2022-2023 Tirana në fund të javës së 18-të ishte e para me 34 pikë, ose gati dyfishin e pikëve të sivjetme. Akoma më mirë në sezonin 2021-2022 kur Tirana ishte e para me 40 pikë në 18 javë. Siç shihet diferenca është 22 pikë dhe bardhebluve vit pas viti po u rrëshqet këmba më poshtë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb