“Tirana e Nonës” është libri më i ri i Blendi Fevziut, i shkruar nga malli dhe dashuria. I shkruar sa për të bijat e autorit e Nonën aq edhe për qytetin, për historinë dhe jetët njerëzore.

Nëse “Budenbrokët” e Tomas Manit është romani i rënies së një familjeje, “Tirona e Nonës” është në të vërtetë saga e disa familjeve dhe njerëzve, që përbëjnë ashtin sendërtues të një kryeqyteti dhe madje dhe të ngritjes së shtetit shqiptar.  Për fatin e tyre të mirë këto familje e kanë gjallë vetë pasardhësin e tyre dinjitoz, që t’ua rrëfejë një për një historitë, dhimbjet, ëndrrat e zhgjëndrat, sfidat, dramat e arritjet në kapërcyej të disa prej epokave më të rëndësishme të historisë së Tiranës e Shqipërisë.

I shkruar me një stil realist gazetaresk, pa shumë stërhollime stilistike që do ta rëndonin atë, libri përmban një gamë të gjerë personazhesh dhe historish, që janë, siç autori shprehet, “të gjitha të vërteta”. Pavarësisht vërtetësisë së fakteve dhe personazheve, filli letrar i veprës, krejt vetvetishëm, shfaqet aty-këtu dhe i thur qëndrueshëm kapitujt e njëherazi i ndih autorit të përshkruajë gjithë topikën (shtëpinë, lagjen dhe qytetin) që ka shenjuar qenien e vetëdijen e tij.

Shumësia e personazheve, me të cilët autori ka një një lidhje të veçantë emocionale, nuk është bërë shkak për fragmentarizimin e veprës; ndonëse secili prej tyre qëndron në kronotoposin e vet, të gjithë janë vatra prej nga autori ka projektuar vetveten. I shtyrë gjithmonë për t’i njohur më mirë, për t’i kuptuar ata vetë dhe të shkuarën e qytetit e vendit, Fevziu rrëfen se në vijëmësi ka hulumtuar rreth tyre dokumente, dëshmi dhe fakte, të cilat i ndërkall edhe në faqet e librit. Si për t’i qëndruar besnik prirjes gazetareske, për shumë personazhe autori paraqet dy, tri apo katër versione të historive, duke i dhënë kësisoj veprës një karakter mjaft interesant polifonik.

Megjithatë, zëri më domethënës dhe njëherazi personazhi qendror i veprës është Nona, ajo grua e jashtëzakonshme, e shkolluar në Vienë, që ndiqte operan vieneze çdo ditë të parë të janarit, dashuronte lulet e ballkonit dhe të kopshtit të saj dhe nuk donte t’ia dinte për politikë; Nona është referenca më e fuqishme njerëzore e fëmijërisë së autorit dhe limani i paqtimit të tij. Krahas saj, janë edhe nonat e tjera, kushërira të Nonës, që e investojnë gjithë potencialin e tyre amësor për rritjen e nënës së autorit dhe më tej për rritjen e atij vetë. Nëse në romanin e Selman Rruzhies “Turpi”, Omar Khajam Shakilika rritet nga tri mëma (tri motra që betohen për të mos e ndarë kurrë të vërtetën se cila ishte ajo që e kish sjellë në jetë), të cilat e trysnojnë, e mbajnë të izoluar brenda shtëpisë së tyre, që është një ngrehinë e të vjetër gati në të shembur, në këtë vepër rrëfimtari rritet prej tri nënash të jashtëzakonshme (Nona, Teta Meti dhe Bibia), të cilat e mëkuan me dashuri për  lirinë së munguar, me frymën e dijeve dhe edukimit të shkëlqyer, që këto zonja kishin marrë dikur vetë jashtë vendit. Përkujdesjen e tyre për të shfaqet dhe si thirrje për të mos harruar historinë, njerëzit, përpjekjet e tyre të vogla, lavdinë e disave, gabimet e të tjerëve, por kurdoherë duke u përpjekur të mos lëndonin ndjeshmëritë e të voglit për mungesat e disa prej njerëzve të rëndësishëm në familje.

Në “Tironën e Nonës”, përmes sagës familjare, përshkruhet historia e gjithë qytetit dhe gjatë leximit takohen figura e personalitete të rëndësishme të vendit. Nëse libri do të shoqërohej me një shtojcë me të gjitha personazhet që përmban, aty do të gjendeshin edhe Mbreti Zog, edhe Esat Pashë Toptani, edhe Qemal Stafa, edhe Kristo Frashëri, edhe Eqrem Çabej edhe Princ Vidi, edhe Enver Hoxha edhe Ramiz Alia, edhe Mithat Frashëri, madje edhe i lumi Skëndo, i vëllai i këtij të fundit… Personazhe të faqeve të historisë së Shqipërisë ose thjesht personazhe familjare, ata janë bashkë për të përçuar një hetim të rrallë historik dhe diskutim etik, prapë pa iu larguar artistikes, letrares, duke i përshkruar me shumë detaje si mjedisin e gjerë ashtu edhe objektet që mbajnë gjurmë të së shkuarës. Me një përkujdesje dhe dashuri alla Orhan Pamuk në “Muzeun e Pafajësisë”, autori na rrëfen për vlerën e pashlyeshme emocionale të një sërë objektesh si: kravata, butonat e këmishës së stërgjyshit, për kolltukun e Princit Vid, për sëndukun e vjetër të Nonës, për shishkën e parfumit Chanel Nr. 5, për helikopterin lodër me shënimin “NYPD”, për letrat e mungesave dhe ndarjeve të mëdha, për fotografitë e përmallimit, që i ruanin te kokat e shtretërve a mbi tryeza ata dikur, dhe sot e gjithë ditën ai, pinjolli i tyre, për t’i përkujtuar, nderuar, dhe me gjasë për të mos harruar si dhe kush i takon atij vetë që të jetë!

Ndërthurjen e kësaj shumësie objektesh dhe personazhesh referenciale ndaj së shkuarës, e realizon pikërisht rrëfimtari (id est Blendi Fevziu), i cili është dora që përpiqet “ta plotësojë puzzle-n”, duke qenë edhe vetë pjesë e tij. E prapëseprapë mozaiku i veprës nuk ka përfunduar. Ai do të jetë një i tërë, vetëm pasi lexuesi shqiptar, me lehtësi të natyrshme, ta ndërkallë te “Tirona e Nonës” edhe veten, fatin e tij, të familjes e të rrethinës së tij në këtë sagë të jashtëzakonshme e njëherazi qerthull të kujtesës së pashlyeshme kolektive.

Elsa Rakipllari (pedagoge)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb