TIRANE- Pritja për kandidatët për Bashkinë e Tiranës duket se do të zgjasë edhe disa ditë. Edi Rama mendohet se do ta bëjë publik emrin e tij të mërkurën e ardhshme. Edhe Lulzim Basha vazhdon të mendohet për kandidatët e tij, ndërkohë që Ilir Meta duket se i ka gati emrat për 21 qershorin.
Mesjava e ardhshme pritet t’u japë fund dilemave mbi kandidatët për Bashkinë e Tiranës.
Kryeministri Rama duket se ka preferuar të zyrtarizojë garuesin e së majtës pas përfundimit të vizitës
së tij zyrtare në Emiratet e Bashkuara, nga e cila do të kthehet mbrëmjen e së martës.

Pritja mendohet se do të marrë fund të mërkurën, siç la të kuptohej edhe vetë Rama pak ditë më parë. Mes kandidatëve të së majtës, Erjon Veliaj duket se është i preferuari i kryeministrit. Veliaj, disa sinjale tipike prej fushate elektorale i ka dhënë tashmë, duke u shfaqur në stadium për të bërë tifo për Tiranën.

Ditët e fundit, ministri i Mirëqenies Sociale është prezent në të gjitha aktivitetet publike, ndonëse për të shmangur pyetjet e gazetarëve fshihet pas kolegëve, duke i vënë ata në siklet, aq sa të shpërqendrohen. Në kampin tjetër, Lulzim Basha ka më shumë opsione mbi tavolinë. Tre emrat kryesorë mbi të cilët po mendohet lideri i demokratëve mësohet se janë Jorida Tabaku, Halim Kosova dhe Besnik Aliaj, ndonëse nuk përjashtohen edhe kandidatë të tjerë. Çfarë po kërkon Basha, është një personalitet që të gëzojë respektin e sa më shumë qytetarëve të kryeqytetit, pavarësisht ngjyrimeve politike, në mënyrë që të reduktojë kështu avantazhin elektoral të kundërshtarit. Në këtë mes, Ilir Meta ka qëndruar në pritje. Deri tani ka zyrtarizuar vetëm 3 kandidatë.

Me fillimin e javës mendohet se lideri i LSI-së do të bëjë publikë edhe pjesën tjetër të garuesve të së majtës, në 15 bashkitë ku PS i ka lënë të drejtën e propozimit. Me zyrtarizimin e kandidatëve pritet të fillojë edhe fushata elektorale. Në Tiranë, dy njerëzit e së majtës dhe të së djathtës po i pret me motorët ndezur kandidati i pavarur Gjergj Bojaxhi.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb