Tirana ecën me hap kampioni në këtë fillim sezoni. Bardheblutë koleksionojnë suksesin e radhës duke mposhtur 3-1 Skënderbeun dhe ngjiten përkohësisht në krye të tabelës së renditjes në pritje të ndeshjes që Kukësi do të luajë të dielën. Në takimin e zhvilluar në “Selman Stërmasi”, bardheblutë kanë dominuar rivalin, teksa kanë realizuar golin e parë me anë të anglezit Majkëll Ngo në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë. Në 45 minutat e dyta bardheblutë vuajnë t’i vënë kapak sfidës dhe i japin mundësinë Skënderbeut të reagojë, me korçarët që barazojnë në të 66-ën me anë të Pollozhanit. Por Tirana nuk dorëzohet dhe karta fituese për Memën është edhe njëherë Grent Halili, që i futur si zëvendësues, gjen golin e avantazhit në të 85-ën pas një gjuajtje të saktë me kokë. Për ta vulosur përballjen mendoi Hoxhallari me golin e tij në minutën e 90-të. Tirana ngjitet në kuotën e 10 pikëve, ndërsa Skënderbeu pas 4 javësh mbetet me 6 pikë teksa ka pësuar dhe humbjen e dytë radhazi.

Teuta dështon të mbajë hapin e Tiranës. Në takimin e luajtur në “Niko Dovana”, “djemtë e detit” janë ndalur në një barazim 0-0 me Vllazninë. Shkodranët, që luajtën nga minuta e 53-të me dhjetë lojtarë pas kartonit të kuq të Ramadanit, bënë rezistencë dhe arritën të shkëpusin një pikë në këtë transfertë të vështirë. Teuta do të ngjitet e dyta me 8 pikë, ndërsa Vllaznia do të sigurojë pikën e pestë.

Dy herë Fili dhe Luftëtari gjen fitoren e parë në këtë kampionat, teksa ka mposhtur Flamurtarin në derbin e madh të jugut, por që ishte dhe derbi i skuadrave me 0 pikë në tabelë. Në Gjirokastër, pjesa e parë mbyllet pa gola, ndërsa emocionet ishin rezervuar për pjesën e dytë. Fili çel rezultatin në të 53-ën pasi ekzekuton saktë një penallti, ndërsa Flamurtari do të reagojë dhe do të barazojë në të 72-ën me anë të Xhevahir Sukajt. Por të zotët e shtëpisë do të sigurojnë tre pikët, kur Fili shënon in-extremit golin e dytë personal dhe të fitores për Luftëtarin, që ngjitet në kuotën e 3 pikëve, ndërsa Flamurtari ende nuk e ka shijuar pikën e parë në këtë kampionat.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb