Tirana me shumë mundësi do të ketë tre mungesa për sfidën me Skënderbeun. Përveç Mahamadu Dembele, i cili është i pezulluar për shkak të kartonëve të verdhë, derbi ka lënë me pasoja disa nga lojtarët e bardhebluve.

Kështu, pas dëmtimit në këmbë, jashtë pritet të jetë edhe Ualid Zharmuni. Futbollisti ka pothuajse zero shanse për të qenë në fushën e lojës në sfidën me Skënderbeun. Edhe Ermal Meta me shumë mundësi nuk do të jetë në këtë sfidë, që do të luhet të enjten në orën 16:30. Në dyshim për t’u aktivizuar është edhe Gjumsi, i cili ka dhimbje në shpatull. Kushte këto, që kanë vënë në vështirësi trajnerin e bardhebluve Gugash Maganin, i cili tani duhet të ndryshojë 11-shen që do ta nisë nga minuta e parë në përballjen me korçarët. Me tre lojtarë që nuk luajnë dhe një tjetër në dyshim, trajneri i duhet të përmbysë formacionin.

PORTA – Në portë nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha, me Selmanin që luan nga minuta e parë. Gardiani ka bërë një nga ndeshjet më të mira në derbi. Ai është gjithashtu një nga shtyllat e skuadrës.

MBROJTJA – Me Dembelenë jashtë, Magani duhet të zgjedhë. Së pari, nëse do të aktivizojë Përgjonin apo Micin në qendër të mbrojtjes. Pjesa tjetër e ekipit do të jetë e njëjta me Isuf, Kolën, dhe Përgjonin majtas, nëse luan Mici në qendër. Në rastin që Përgjoni luan në qendër, majtas aktivizohet Ismajli.

MESFUSHA – Në këtë repart gjërat mund të ndryshojnë. Me Metën jashtë, Jonuzi aktivizohet nga minuta e parë, së bashku me Soler dhe Ismajlin. Të gatshëm edhe Tola dhe Jaku që presin prej kohësh një fanellë titullari.

SULMI- Në këtë repart janë dilemat e mëdha. Me Zharmunin jashtë, zëvendësuesi klasik do të jetë Bajroviçi. Po kështu, Gjumsi mund të mos jetë dhe në vendin e tij luajnë Abah ose Haxhiu. Me të gjitha gjasat kthehet titullar Fatmir Prengaj, i cili disa minuta në derbi dhe humbi penalltinë që mund t’i jepte fitoren ekipit të Tiranës. Kujtojmë që bardheblutë janë skuadra me më pak fitore në kampionatin shqiptar, dy. Një fitore është marrë nga skuadra që drejtohej nga Shkëmbi dhe një trepikësh tjetër nga ekipi që drejtohet nga Gugash Magani.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb