Me suksesin e arritur në Korçë kundër Skënderbeut, te Tirana janë më shumë sesa optimistë për sfidën e radhës, derbin e madh të kryeqytetit kundër Partizanit. Bardhebluve u mungon një sukses në derbi që më 7 shkurt të vitit 2014, ndërsa në dy sfidat e para të këtij sezoni janë mposhtur 1-0 dhe 2-1. Por kësaj radhe, në ambientin bardheblu ndjehet fryma e duhur dhe të gjithë besojnë se kësaj radhe ndaj të kuqve mund t’ia dalin.

Kështu e mendon dhe Uinful Kobina, mesfushori ganez që ka lënë gjurmën e tij në dy përballjet e fundit të Tiranës, duke shënuar një gol të shkëlqyer kundër Luftëtarit dhe golin e parë për të tijtë dje në Korçë. Për “Panorama Sprot”, ai u shpreh:
“Ishte një fitore e rëndësishme dhe tepër motivuese për ne. Jemi në një moment të mirë dhe kjo fitore na ndihmon akoma edhe më shumë për të vazhduar me këtë rritëm kampionatin. Është një shtysë e madhe për derbin që kemi këtë javë me Partizanin, ku shpresojmë të fitojmë. E rëndësishme për ne mbetet fakti që jemi në rrugën e duhur dhe po bëjmë maksimumin për të rritur pozicionin tonë në renditje”, deklaroi fillimisht Kobina. Ai ka komentuar më pas edhe golin. “Ishte një plus më shumë për mua për të qenë i lumtur pas kësaj ndeshjeje. Shpresoj që të shënoj edhe me Partizanin, pasi do të jetë më i rëndësishëm”.

(j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb