Mjafton një Ndikumana në super formë që Tirana të mposhtë Apoloninë me rezultatin e pastër 2-0. Bardheblute e nisin më këmbën e mbarë fazën e tretë duke bindur në lojë dhe në rezultat. Trajneri Magani tregohet “magjistar” me lëvizjet e tij ku zëvendësimet e kryera ndryshuan fatet e sfidës. Edhe pse të ndodhur jashtë shtëpie, në “Niko Dovana” të Durrësit, atmosfera ishte e ndezur më tifozët bardheblu që për 90 minuta mbështetën skuadrën e tyre. Mjaftuan vetëm 9 minuta që Gjergji Muzaka në një bashkëpunim me Mario Morinën të vërtetonte se përshtatshmëria me grupin e ri është perfekte, një aksion model i zhvlerësuar vetëm në pasin final. Me vetëm Muzakën që shtyn në krahun e djathtë loja e Tiranës nuk ishte e plotë më trajnerin Magani që detyrohet të hedhin në fushë Ndikuaman, edhe pse jo në kushte optimale, për Renato Hyshmerin. Në topin e parë që prek Ndikumana godet traversën me një goditje me kokë, një sinjal i qartë për portierin Cakovic, se tashmë rreziku kryesorë është ai. Sulmuesit nga Burundi i mjaftuan vetëm 7 minuta lojë për të vërtetuar se “preja” e tij e preferuar është Apolonia . Ndikumana shpërthen në krahun e majtë, në një aksion personal për ti dhuruar Tiranës avantazhin e shumë dëshiruar. Fillimi i pjesës së dytë sheh sërish Tiranën protagonistë me Debatik Currin që për pak përfiton nga një rrëmujë në zonë. Duhet të kalonin 58 minuta lojë që Apolonia të shfaqet për herë të parë rrezikshëm në portën e Frashrit, që devijon saktë goditjen e Gërxhos. Trajneri Magani ndërhyn sërish në formacion duke larguar Morinën për Sefën, një lëvizje që s’poston Ndikumanën në qëndër të sulmit. Ishtë pikërisht Ndikumana që vertikalizohet në qendër, duke shndërruar asisin e Bushiç në gol. Për Ndikumanën ky ishte goli i shtatë sezonal dhe i 4 që i shënon Apolonisë. Fierakët luajnë për gjithçka në minutat e mbetura dhe për pak përfitojnë nga aventura e Frashrit, me Rajoviç që stampon topin në traversë. Tirana gjeti mundësinë për të vënë në jetë një aksion të fundit, ku Curri dhe Ndikumana dhuruan spektakël në kombinimet e tyre por Cakovic i hoqi mundësinë Sulemanit për të shënuar golin e tretë personal. Me statusin e njeriut të ndeshjes Ndikumana i dhurojë në këtë mënyrën fitoren e parë Tiranës në këtë fazë të tretë.

(e.shkambi/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb