Tirana është në garë me kohën jo vetëm për të siguruar mbijetesën por dhe për të rikuperuar disa lojtarë shumë të rëndësishëm. Ndaj Skënderbeut pritet të jetë një ndeshje shumë përcaktuese, në një kohë kur dhe rivalët kanë sfida po aq të “sikletshme”. Albi Duka vijon të shqetësojë jo pak stafin drejtues, me mbrojtësin i cili nuk është stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës. Futbollisti ka një problem në njërën këmbë dhe për këtë arsye është lënë pushim nga stafi dhe pas pak minutave vrap është larguar nga stërvitja.

Nëse Doka nuk arrin të rikuperojë në kohë, trajneri Mema duhet të shpik diçka për krahun e djathtë pasi dhe Dorian Kërçiku vijon të jetë i dëmtuar. Jo vetëm Doka dhe Kërçiku, në mbrojtje vijon të jetë shqetësuese gjendja e Eni Imamit. Lojtari vazhdon stërvitjen i diferencuar, vetëm vrapime të lehta, pasi dëmtimi në gju nuk ka kaluar plotësisht. Nuk është ende e qartë nëse Imami do të rikuperojë në kohë për sfidën kundër Skënderbeut, në këto kushte Mema duhet të ribëjë nga e para repartin difensiv.

Karabeci
Karabeci

Shqetësuese mbetet edhe gjendja e Erando Karabecit. Kapiteni e ka thuajse të pamundur të lëviz këtë periudhë, nuk hedh dot disa hapa pasi ndjen shumë dhimbje. Mesfushori nuk i është nënshtruar ende asnjë ekzaminimi për të kuptuar se çfarë shqetësimi ka, mungesa e tij është e sigurt ndaj ekipit korçarë. E gjithë kjo situatë e bën jo pak të vështirë këtë takim për bardheblutë që kërkojnë me çdo kusht të marrin maksimumin.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb