Tirana humbet një tjetër pjesë të saj. Fatmir Prengaj nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Bledi Shkëmbi për dy ndeshjet e mbetura të kampionatit. Futbollisti u dëmtua ditën e shtunë në sfidën me Skënderbeun dhe doli nga loja para kohe, ndonëse ishte aktivizuar si zëvendësues.

Nga ekzaminimet që janë bërë prej mjekëve të ekipit, rezulton se lojtari ka dëmtuar ligamentet dhe nuk do të ketë mundësi të riaftësohet në kohë për ndeshjet e mbetura të Superiores. Jo vetëm kaq, por futbollisti do të jetë gati vetëm për sezonin e ri futbollistik. Prengaj është lojtari i radhës, i cili i shtohet listës së gjatë të futbollistëve të dëmtuar te KF Tirana. Një ditë më parë është konfirmuar se Emanuel Ernest nuk do të jetë i gatshëm për bardheblutë për dy takimet e mbetura.

Nga ana tjetër, edhe Ermal Meta dhe Qëndrim Ismajli nuk janë me skuadrën. Ata vazhdojnë riaftësimin dhe zor se do të jenë gati për këtë kampionat. Prengaj është lojtari i katërt që ka mbyllur sezonin futbollistik, si dhe sulmuesi i dytë që nuk do të jetë në dispozicion të Bledi Shkëmbit.

SULMUESI – Fatmir Prengaj erdhi nga Vora te Tirana si një nga përforcimet më të rëndësishme të verës. Gjatë gjithë pjesës së parë të sezonit, mbi shpatullat e Prengajt ranë fatet e sulmit të Tiranës.

Në një pjesë të mirë të takimeve ai ka qenë titullar i padiskutueshëm, por rendimenti i golave nuk ka qenë ai që pritej. Vetëm dy ndaj Skënderbeut në ndeshjen e fazës së parë. Për Prengajn, edhe një penallti e humbur në derbin e dytë me Partizanin, pikërisht në sekondën e fundit. Gjatë këtij sezoni, sulmuesi është aktivizuar në 31 takime, duke shënuar dy gola dhe duke qenë në fushën e lojës 1614 minuta.

E ARDHMJA – Edhe pse Prengaj në këtë moment është pjesë e Tiranës, me shumë mundësi ai do të largohet nga bardheblutë në fund të sezonit. Lojtari është në pronësi të klubit të Vorës dhe te bardheblutë ka qenë borxh për një vit, kohë kjo që përkon me me mbylljen e vitit e sezonit futbollistik. Me shumë mundësi, Prengaj do të kthehet te Vora dhe nuk do të vazhdojë aventurën e tij te bardheblutë. Për më tepër që Vora tani është ngjitur në Kategorinë Superiore dhe pret krahëhapur ish-lojtarin e saj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb