Tirana ka nisur javën e derbit me seancën e parë stërvitore pas suksesit ndaj Laçit në sfidën e vlefshme për javën e 32-të të Kategorisë Superiore. Përpara fillimit të kësaj seance, skuadra është rreshtuar përpara trajnerit Gugash Magani, i cili ka bërë një analizë të shkurtër duke u kujtuar futbollistëve rëndësinë e kësaj sfide jo vetëm për historinë që përfaqëson, por edhe për fatet e titullit kampion. Ajo që ka rënë në sy ishte serioziteti i futbollistëve, të cilët kanë harruar fitoren ndaj Laçit për të përgatitur një tjetër finale, atë ndaj Partizanit.

Numri një i stolit të 24 herë kampionëve nuk ka pasur të plotë grupin e futbollistëve, pasi të konfirmuarit Gjergji Muzaka iu bashkua edhe kapiteni Ervin Bulku, që nuk mori pjesë në këtë seancë stërvitore për shkak të disa shqetësimeve muskulare. Për të mos përkeqësuar më tej gjendjen, Magani vendosi të lërë pushim kapitenin që pritet t’i bashkohet grupit në seancat e ardhshme stërvitore. Risia në këtë seancë të parë të javës së derbit është sulmuesi Sebino Plaku, që u është bashkuar bardhebluve në stërvitje. 30-vjeçari, ashtu si dhe qendërmbrojtësi Ditmar Bici, janë bashkuar me Tiranën për të ruajtur formën fizike dhe jo për të luajtur me këtë skuadër.

Ndërkohë stërvitjen e ka ndjekur nga pranë edhe Drejtori Sportiv i Tiranës, Devi Muka, teksa kanë munguar në këtë seancë tifozët të cilët në ditët e ardhshme pritet të jenë të pranishëm në kompleksin “Skënder Halili”. Zyra për shtyp e klubit bardheblu ka bërë të ditur se deri ditën e ndeshjes do të jenë 4 konferenca për shtyp, me 3 futbollistë dhe trajnerin, të cilët do t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: