Derbi Tirana-Partizani kthehet në kryeqytet, për t’u luajtur më 1 Dhjetor, pasi në fazën e parë të këtij sezoni skuadra barazuan pa gola në “Elbasan Arena”. Një ditë e pazakontë për ndeshjen më të rëndësishme të Tiranës. Për herë të fundit supersfida është luajtur të enjten më 22 Dhjetor të Vitit 2005, me të kuqtë që fituan 1-0 si skuadër pritëse.

Ky do të jetë derbi numër 147 ndërmjet dy rivalëve më të mëdhenj të kryeqytetit. Partizani numëron 60 fitore, Tirana ka triumfuar në 40 raste, ndërsa 46 ndeshje janë mbyllur në barazim. Të kuqtë janë në avantazh edhe përsa i takon numrit të golave të shënuar me 212 rrjeta, përballë 162 golave të bardhebluve. Rezultati që është regjistruar më së shumti në derbi është barazimi 2-2, i përsëritur në 29 raste.

Tirana paraqitet gjithashtu në disavantazh edhe prej ecurisë së viteve të fundit, sepse nuk fitojnë përballë të kuqve në 10 derbit e fundit radhazi. Suksesi i fundit i bardhebluve është ai i 7 Shkurtit 2014, sfidë që u mbyll me fitoren 1-0 me golin e brazilianit Gilberto. Të enjten në fushë do të zbresin në total 39 tituj kampionë, të ndarë 24 për Tiranën dhe 15 për Partizanin. Edhe pse garanton emocione, rivalitet në fushë e tribuna dhe luftë të fort sportive, derbi i viteve të fundit ka vuajtur për gola.

Prej vitit 2013 kur Partizani është rikthyer në elitë, supersfida e kryeqytetit ka prodhuar në vetëm në 3 raste ndeshje me 3 ose më tepër gola, ku më i fundit është barazimi 2-2 në fazën e katërt të sezonit të kaluar. Në 14 ndeshjet e fundit të kësaj periudhe, rezultati më i shpeshtë kanë qenë fitoret 1-0, të regjistruara në 3 raste, po aq sa edhe barazimet pa gola. Me dy skuadrat që në këtë sezon janë mes pretendentëve për titullin, këtë herë nevojiten golat. Jo vetëm për të fituar një duel që nuk është thjesht një ndeshje futbolli, por edhe për të mos humbur terren në garën për titullin.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: