Drejtuesi politik i PD në Qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi, ka denoncuar situatën e krijuar në Tiranë, ku qytetarët kalojnë çdo ditë mbi plehrat.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Këlliçi thotë se nxënësit janë dëshmitarët okularë të kësaj batërdie.

“Nxënësit në shkolla duhet të mësojnë si të ruajnë mjedisin, si ta mbajnë të pastër atë. Ndërsa nxënësit në Tiranë kalojnë mbi plehrat e hapura rrugëve për të shkuar aty ku duhet të mësohet e kundërta, pastaj edhe pasi kryejnë mësimin, sërish kthehen nga e njëjta rrugë, mbi të njëjtën pështirësi kudërmuese të kësaj qeverie të papërgjegjshme, të kësaj qeverie, e cila e përbuz qytetarin e saj vazhdimisht.
Qartësisht, Bashkia Tiranë ka dështuar në të gjitha aspektet, i ka humbur të gjitha funksionet. Gjithçka që ndodh, vetëm sa qëmton të vërtetën e kapitullimit të këtij institucioni inekzistent për qytetarët. Institucion, i cili është shndërruar në një patate të nxehtë e cila hidhet nga një dorë në një dorë tjetër, prandaj Tirana është në kaos”, thotë drejtuesi i PD për Tiranën, Belind Këlliçi ndërsa ka ilustruar denoncimin me një foto nga mbeturinat e hedhura në tokë në zonën e Shkozës, pranë banesave sociale.
(BalkanWeb)