Sezoni i fundit ishte një dështim i plotë për Tiranën, e megjithatë duhet pranuar që në arkën e klubit përfitimet janë shtuar. Strategjia e bardhebluve është më shumë se e qartë dhe këtë verë janë duke u dhënë prioritet shitjeve. Do të jetë pikërisht kjo forma që kryeqytetasit pretendojnë që të rrisin fitimet. Ofertat e shumta në drejtim të lojtarëve kanë bërë që Tirana ta shohë këtë si formën e duhur për të rritur të ardhurat.

Për Merveilin presin të paktën 500 mijë euro, nga Doka 200 mijë euro, ndërsa për Akuah 150 mijë euro. Me llogari të thjeshtë, nëse lojtarët transferohen jashtë vendit dhe me këto çmime që ka vendosur klubi, atëherë arkës do t’i shtohen 850 mijë euro. Një buxhet jo vetëm i mjaftueshëm për inferioren, por edhe për sezonin pasardhës.

MERVEIL & CO

Goztepe duket se është më pranë Merveil Ndokyt, por jo me ofertën që kanë bërë deri më tani. Ata i kanë ofruar Tiranës 350 mijë euro dhe 10% të vlerës së kartonit, por klubi pret që termat të rishikohen, pra që të shkojë në afro 500 mijë euro dhe vlera e kartonit të jetë 10% më shumë. Vetë 18-vjeçari preferon pikërisht Turqinë.

Burime për “Panorama Sport” pranë bardhebluve zbulojnë se klubi i sapongjitur në superligën turke i ka ofruar një pagë realisht joshëse Merveilit. Rroga do të jetë 6 herë më e madhe se në kryeqytet. Këtu ai merr afro 3-4 mijë dollarë në muaj, ndërsa ata i japin 25 mijë euro, që në total përkthehet me 300 mijë euro në sezon. Kongolezi gjendet ende në Shqipëri, pasi pret që nga momenti në moment të mësojë destinacionin për të ardhmen.

“Divorci” me Tiranën është më shumë se i sigurt, për të mos thënë që është çështje ditësh. Gjasat janë që, deri në fund të këtij muaji, të vendoset gjithçka dhe lojtari të transferohet tek ekipi i ri. Albi Doka, veç Hajdukut të Splitit, ka pasur kontakte edhe me Dinamon e Zagrebit, megjithatë transferimi te këta të fundit duket gati i pamundur, ndaj shanset më të mëdha janë që të shkojë në Split.

Edhe pse Ze Maria kërkon që ta mbajë Ruben Akuah, ky i fundit mësohet se është në planet e Luzernës. Këta të fundit e kanë vëzhguar dhe kanë dhënë 150 mijë euro për kartonin e tij, por duke qenë se ka kontratë edhe për 3 vite, ndoshta edhe një vit do të jetë pjesë e Tiranës./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: