Për gjashtë ditë me radhë Tirana priti Kampionatin Europian të Taekwondo’s Under 21 dhe Albanian Open B2, duke bërë bashkë mbi 1000 sportistë nga 35 shtete të Europës dhe nga 55 shtete të botës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga Zëvendësministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Endrit Hoxha ndoqi ndeshjet e sportistëve elitarë në Parkun Olimpik “Feti Borova”. Veliaj theksoi se zhvillimi i aktiviteteve të tilla është dhe një mundësi e shkëlqyer për ekonominë e qytetit.
“Është një aktivitet që i ka sjellë Tiranës mbi 1000 e ca sportistë, duke përfshirë edhe trajnerët, familjarët, ekipin e kujdestarëve dhe logjistikës, të cilët kanë sjellë një pafundësi mundësish që përkthehen në ekonomi. Por, edhe për shumë njerëz që thonë si mund të kthehet arti dhe muzika në ekonomi, mjaftojnë të shikojnë këtë vit që kemi qenë Kryeqyteti Europian i Rinisë, se sa shumë u gjenerua në ekonomi me gjithë këto aktivitete. Kur ngrihet emri i Tiranës, rritet edhe vlera e pronës, rritet reputacioni që ka qyteti ynë”, theksoi ai.
Pas suksesit si Kryeqyteti Europian i Rinisë, Tirana ka aplikuar për të qenë vitin tjetër Kryeqyteti Europian i Sportit. “Më vjen mirë që e kemi kaluar sprovën dhe shpresojmë se kjo fuqizon edhe aplikimin tonë në Bruksel, për të qenë vitin tjetër Kryeqyteti Europian i Sportit. Besoj se sot i kemi mundësitë: Kemi një stadium që ka pasur aktivitete ndërkombëtare, të cilat qyteti i ka menaxhuar me shumë seriozitet dhe disiplinë, kemi dalë faqebardhë dhe kryelartë. Ne gjithmonë flasim për futbollin sepse është më komercial, po ne sot kemi kampion bote në peshëngritje, mundje dhe Kampione Europe në Atletikë”, deklaroi kreu i Bashkisë.
Veliaj nënvizoi se në këto vite Bashkia e Tiranës i ka kushtuar një vëmendje përmirësimit dhe shtimit të infrastrukturës sportive. “Sot kemi palestrat respektive, kemi një pistë që i është bashkuar kësaj infrastrukture sportive në Tiranë, kemi liruar pishinat, ku aty po bëjmë edhe disa fusha të tjera futbolli. Besoj se sot jemi më të përgatitur seç ishim përpara pak muajsh në infrastrukturë sportive, për të qenë Kryeqyteti Europian edhe i Sportit. Nuk do ishte e mundur nëse nuk do të kishim bërë këtë investim bashkë me Qeverinë, bashkë me Ministrinë, që është sot një nga hapësirat më elitare të sportit në Ballkan”, tha Veliaj.
Zëvendësministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë Endrit Hoxha u shpreh se zhvillimi i këtyre dy aktiviteteve madhore është një arritje e jashtëzakonshme për Tiranën.