Numri një i stolit të Tiranës, Bledi Shkëmbi iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve para ndeshjes me Dinamon, takim që do mbahet në Vlorë në stadiumin “Flamurtari”.

“Derbi është ndeshje e rëndësishme, por akoma më të rëndësishme mendoj që janë pikët për ne. Vijmë pas dy javësh stërvitje, mendoj se na ka shërbyer me disa lojtarë që nuk ishin në gjendjen e duhur fizike apo mungesat e rëndësishme që kishin.

Përballja e derbive është gjithmonë e vështirë, luajmë kundër një kundërshtari që ka një skuadër të mirë, të investuar, që ka objektiva si ne dhe nuk diskutohet që do të jetë e vështirë.

Shija e keqe e derbit në Vlorë? Keni të drejtë, por e njëjta shije është edhe për ne se gjithë javën ka qenë pikëpyetja ku do të luajnë. Në fund u vendos në Vlorë, por janë gjëra që nuk na përkasin ne, mua si trajner apo lojtarëve. Unë e di mirë që e kemi për detyrë të bëjmë maksimumin në çdo fushë që do të luajmë.

Duhen se sbën pikët, në çdo ndeshje. Por patjetër duke parë vazhdimësinë e ndeshjeve të fundit, unë e kuptoj shumë mirë, edhe skuadra e di, që duhet të bëjmë maksimumin për të marrë tre pikët.

Për fat të mirë në këtë ndeshje jemi pothuajse të plotësuar, hiq mungesën e Përgjonit. Por pjesa tjetër është ok, na vjen mirë për këtë pasi në javët e fundit kemi pasur goxha probleme me lojtarët.

Ajo që duhet të bënim më mirë në ndeshjen e fundit është që të reagonim pas rezultatit 2-1. Për herë të parë në këto javë pashë skuadrën që nuk pat asnjë lloj reagimi. Lëmë mënjanë pjesën e arbitrave, por patjetër nuk duhet të gjejmë justifikim dhe unë nuk kam justifikuar as veten dhe as skuadrën, pas 2-1 bëmë 20 minuta shumë të dobëta, ndoshta më të dobëtat e këtij kampionati.

Shpresoj që fusha në Vlorë të jetë e mirë, ne jemi një skuadër që duam të luajmë futboll me mundësitë që kemi, futboll të mirë me topin në tokë. Edhe Dinamo kërkon të luajë dhe shpresoj që për të dy ekipet të jetë një fushë e mirë. Nëse jo, patjetër do të jetë problem.

Mbledhje me ekipin? Për mbledhje nuk kemi nevojë, minimbledhjet bëhen çdo ditë para apo pas stërvitjeve. Por jam i bindur që skuadra e kupton momentin që jemi e situatën që jemi dhe ka dëshirë për të fituar”, tha Shkëmbi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb