Tirana dhe Bledi Shkëmbi me shumë mundësi do të vazhdojnë të jenë bashkë edhe në sezonin e ardhshëm.
Të paktën ky është qëllimi i drejtuesve të KF Tiranës për sezonin e ri futbollistik. Si presidenti Refik Halili, dhe stafi i tij, janë të kënaqur me trajnerin, i cili në këtë moment ka bërë mirë. Kjo do të thotë se shanset që korçari të qëndrojë edhe në kampionatin e ardhshëm janë shumë të mëdha. Gjithsesi, problemi nuk është kontrata e shkruar apo e pashkruar, por çfarë do të bëjë ekipi në këtë kampionat. Kryesore është që skuadra të fitojë ndeshjet e mbetura dhe të qëndrojë në Kategorinë Superiore. Po nuk u arrit ky objektiv, palët e kanë të kotë të diskutojnë për të ardhmen, sepse situata më pas ridimensionohet.
KUSHTET – Mesa është marrë vesh, për të qëndruar, Shkëmbi ka kërkuar mbajtjen e grupit aktual, me ndonjë modifikim të vogël, si dhe përforcimin në reparte të caktuara. Vetëm kështu do të pranonte Shkëmbi. Pra, të ketë në duar një skuadër pretendente, e cila të jetë e aftë për të luajtur për titullin kampion.
SHIFRAT – Në këtë aventurë të dytë me bardheblutë, Bledi Shkëmbi ka zhvilluar tetë takime në kampionat. Pikë ka grumbulluar 13, ndërsa ka 3 fitore, katër barazime dhe vetëm një humbje. Golavarazhi 12:8 dhe 1.63 pikë për lojë. Në aventurën e parë prej 12 sfidash në Superiore, Shkëmbi pati grumbulluar 12 pikë, me një mesatare prej 1 pike për takim. Tani, edhe pse ka katër ndeshje më pak, është shumë lart. Veç trajnerit, pesë titullarë janë në “ujërat” e rinovimeve te bardheblutë.
Tirana po mbyll një sezon me oshilacione, por nga ana tjetër po vrapon që të mbajë të bashkuar skuadrën edhe për kampionatin e ri. Në këtë moment që flasim, janë pesë titullarë apo potencialisht të tillë, që duhet të rinovojnë me skuadrën bardheblu. Bëhet fjalë për dy portierët Gentian Selmani e Leon Kozi, mbrojtësit Gledi Mici, Florjan Përgjoni, si dhe anësorin Rimal Haxhiu. Të pestë janë ose pa kontratë, ose do të zhvillojnë bisedime edhe për një vit tjetër bardheblu.