Deklaratat e Redi Jupit dhënë dy ditë më parë në televizionin “News 24”, duket se nuk e kanë shqetësuar kampin bardheblu. Presidenti i Tiranës, Refik Halili i kontaktuar nga “Panorama Sport” nuk dëshironte të fliste për këtë çështje. Ai deklaroi se nuk ka dëshirë që të replikojë me Redi Jupin, por gjithçka do t’ia thotë publikisht sy më sy, në një emision televiziv. Gjithsesi, Halili nuk qëndroi pa dhënë dy fjali për deklaratat e ish-lojtarit të Tiranës.

“Redi mendon se Tirana u ndihmua për titullin e 2020-ës? Po le të thotë emrat të cilët e ndihmuan Tiranën atë vit. Të gjithë e harrojnë se çfarë skuadre, çfarë investimesh dhe rezultatesh kishim atë 2020-të. Shihni me kujdes se cilët ishin futbollistët e Tiranës dhe çfarë merkato bëmë atë vit. Merituam gjithçka”, tha Halili duke mos vazhduar në distancë polemikën.

Gjithsesi, kush e njeh nga afër Halilin e di shumë mirë se ai asnjëherë nuk harron. Tani duhet të presim që në një studio televizive presidenti i Tiranës dhe Redi Jupi të përplasen për të vërtetat e tyre. Pas titullit të 2020-ës, Tirana fitoi edhe një kampionat tjetër me Shehin dhe më pas doli e dyta në 2023-ën me një skuadër që dorëzoi trofeun për humbjet në derbi, por edhe me shumë polemika për një penallti kundër në sfidën me Bylisin. Panorama Sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb