NGA ERMELINDA HOXHAJ*
TIRANE
-Ditën e djeshme, punonjësit e Bashkisë së Tiranës kanë nisur vendosjen e dekorit për festat e fundvitit. Për shkak të buxhetit të bllokuar, edhe këtë vit Tirana do vijojë të ketë të njëjtin dekor me vitin e shkuar, pa iu shtuar ndonjë element i ri, për shkak të mungesës së fondeve. “Punonjësit e bashkisë kanë nisur vendosjen e zbukurimeve. Ato do të vijojnë deri më datë 6 dhjetor, kur do të ndizen dhe dritat e pemës kryesore në sheshin ‘Skënderbej’, e kthyer tashmë në një traditë për kryeqytetin. Këtë vit nuk do të ketë ndonjë risi në dekorim, pasi nuk ka fonde. Bashkia po bën vendosjen e dekorit të vitit të shkuar, që të mos penalizojë qytetarët dhe të krijojë atmosferë festive në rrugët dhe sheshet kryesore, edhe pse me buxhet të bllokuar”, – u deklarua zyrtarisht nga bashkia. Gjatë muajit dhjetor nuk do të mungojnë aktivitetet për fëmijë, të cilat do startojnë fundjavën që vjen. Sipas bashkisë, Drejtoria e Kulturës është duke hartuar programin e aktiviteteve, i cili pritet të bëhet publik në ditët në vijim.


Dekori
Zbukurimet e kryeqytetit për pritjen e vitit 2015, në total kanë 3.3 milionë drita. Zbukurimet kanë nisur të vendosen dje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa sot dhe në ditët në vijim do të vendosen edhe në shumë rrugë të tjera kryesore, duke kulmuar me datën 6 dhjetor, që do të bëhet edhe ndezja simbolike e dritave të pemës gjigante në sheshin “Skënderbej” nga kryebashkiaku Lulzim Basha. Rrugët ku do vendosen zbukurime, veç “Dëshmorëve të Kombit”, janë: bulevardi “Zogu I”, Rruga e Durrësit, Rruga e Kavajës, zona para Bibliotekës Kombëtare, por do zbukurohen edhe pemët që ndodhen në sheshin përpara ministrive, si dhe lulishtja me pemë përpara Muzeut Kombëtar. Vëmendje të veçantë, edhe këtë vit, do t’u jepet dy shesheve kryesore, sheshit “Skënderbej”, pasi aty do vendoset pema më e madhe e Vitit të Ri, por edhe sheshit “Nënë Tereza”, pasi edhe aty do të vendoset një tjetër pemë si dhe drita dekoruese. Edhe këtë vit, në rrugën pedonale “Murat Toptani” nuk do të mungojnë ‘shtëpizat’ e suvenireve.


(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb