Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Rreth një në 20 aborte në vendin tonë kryhen tek adoleshentet 15-19 vjeç, ndërkohë që 2/3 e këtyre vajzave jetojnë në zonat urbane”. Të dhënat i përkasin studimit të Institutit të Shëndetit Publik “Vlerësimi i lindjeve dhe aborteve tek adoleshentet për rrethin e Tiranës”, i cili është realizuar për vitet 2009-2012, duke hedhur disi dritë mbi këtë fenomen, pasi informacioni rreth aborteve në adoleshencë është i paplotë.

Ndërkaq, specialistët e vënë theksin te pasojat që mund të sjellin shtatzënitë gjatë kësaj moshe, duke qenë se në adoleshencë rrezikohet jo vetëm shëndeti i nënës, por edhe i fëmijës, duke përbërë në mënyrë të tërthortë edhe një problem për komunitetin. Një problem në këtë drejtim mbetet përdorimi shumë i ulët i metodave kontraceptive, që do të parandalonin ndjeshëm shtatzënitë e padëshiruara. Sipas ISHP, përdorimi i ndonjë metode kontraceptive te femrat e moshës 15-19 vjeç është 6.7%, ndërsa përdorimi i metodave moderne te femrat e po kësaj moshe është 1.8%.

“Kontracepsion nuk kanë përdorur kurrë 88.9% e femrave të grupmoshës 15-19 vjeç. Rreth 91% e femrave të kësaj grupmoshe që jetojnë në zonat urbane nuk kanë përdorur kurrë kontracepsion dhe 87.7% e femrave të po kësaj moshe jetojnë në zonat rurale”, shtohet në raport.

Rekomandimet
Nisur nga këto të dhëna, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik rendisin një sërë rekomandimesh, për të ulur numrin e shtatzënive të padëshiruara në adoleshencë, aborteve dhe komplikacioneve. Kështu, ata shprehin domosdoshmërinë te fokusimi në programe të efektshme për parandalimin e shtatzënive tek adoleshentet, si dhe angazhimin e komunitetit në këtë drejtim.

Po ashtu, sipas tyre, duhet punuar me programe informuese për prindërit, në mënyrë që komunikimi i tyre me fëmijët adoleshentë të jetë efektiv, duhet të rritet përdorimi i metodave kontraceptive për adoleshentët seksualisht aktivë përmes ofrimit falas të kontraceptivëve si dhe tek edukimi rreth përdorimit të tyre, duke u fokusuar më tepër te grupet me rrezik më të lartë.

Promovimi i strategjive që i ndihmon të rinjtë të mënjanojnë situatat të cilat i çojnë ata në sjellje të rrezikshme, rritja e mbështetjes së organizatave, misionet e të cilave përfshijnë parandalimin e shtatzënive, infeksioneve seksualisht të transmetueshme, kontrollin e lindjeve dhe abortet tek adoleshentet, identifikimi i grupeve më të rrezikuara për shtatzëni apo aborte (si p.sh komuniteti rom) dhe ofrimi i mbështetjes për to, janë të tjera rekomandime që rendisin specialistët.

Ndërkaq, një tjetër masë është promovimi i martesave pas moshës 18 vjeç, përmes informimit dhe fuqizimit të rolit të vajzave, si dhe influencimit në normat kulturore që mbështesin martesat e hershme. “Reduktimi i kryerjes së marrëdhënieve seksuale nën efektin e dhunës, alkoolit dhe drogave, përmes programeve edukuese dhe angazhimit të meshkujve, që ata të vlerësojnë në mënyrë kritike diferencat gjinore.

Ulja e numrit të aborteve tek adoleshentet nëpërmjet informimit të tyre mbi pasojat që sjellin ndërprerjet e shtatzënive, identifikimi i barrierave në ofrimin e abortit të sigurt dhe informimi rreth qendrave shëndetësore që ofrojnë shërbimet e abortit dhe domosdoshmëria për studime të mëtejshme të fokusuara te nevojat specifike të adoleshentëve lidhur me shtatzënitë e padëshiruara dhe abortet, janë të tjera masa në këtë drejtim”, shtojnë specialistët.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: