TIRANË- Rreth 20 banorë të një pallati 9-katësh në zonën e “Misto Mames” kërcënuan se do të hidhen nga taraca e tij, pasi kanë probleme me ndërtuesin dhe pronësinë e apartamenteve të blera.

Sipas tyre, “ndërtuesi nuk i është përmbajtur kontratës së lidhur që ka përfunduar në korrik të 2012-ës”. Sipas kësaj kontrate, banorët në këmbim të tokës do të merrnin apartamente apo edhe dyqane dhe do tu paguhej qiraja. Ata thanë se tashmë ndodhen në mes të katër rrugëve, pasi ndërtuesi nuk u paguan më as qiranë. Po kështu disa prej banorëve pretendojnë se kanë paguar paratë për të marrë apartamente, por nuk i kanë marrë pasi ndërtuesi ose nuk i ka përfunduar ose i ka shitur nga 2-3 herë.

“Ky ndërtues na ka mashtruar kemi gati 6 vite që na premton dhe nuk na jep ato që kemi përcaktuar në kontratë. Jemi pronarët e kësaj toke. Kemi rënë dakord që të marrim hyrje. Kemi kontrata, na mbaron në korrik të 2012-ës. E ka me kontratë të përcaktuar që do të na jepte qiranë. Ky veprim është i përsëritur. Bëmë marrëveshje vitin e kaluar, por prapë na mashtroi. Kemi shkuar në polici. Nuk kemi mundësi ti drejtohemi gjykatës. Ne duam lekët, do bëjmë grevë urie. Jemi mbi 27 familje. Jemi dhe ne që kemi blerë. Na kanë nxjerrë qiraxhinjtë nga shtëpia në rrugë. Disa hyrje i ka shitur nga 2-3 herë. Ose të sjellë lekët këtu ose nuk lëvizim”, deklaruan banorët. Pavarësisht se administratori i firmës është përpjekur të komunikojë me banorët dhe ti qetësojë, ata nuk kanë pranuar, pasi sipas tyre janë vetëm mashtrime.

Ndërkohë pas disa orëve, kanë përfunduar negociatat mes banorëve e policisë që ata të zbresin nga tarraca e pallatit. Banorët do të bëjnë denoncim ndaj ndërtuesit. Por vetëm një prej banoreve, Alketa Sotiri refuzoi të zbriste nga tarraca. “Nuk zbres, ndërtuesi të më sjellë lekët e qirasë”, ka thënë ajo.

Administratori i firmës: Banorëve ju kemi bërë një grafik, të paktën për rastin e fundit.

Banorët: Gënjen ky. Do ta hedhim nga tarraca.

Administratori i firmës: Klientët janë banorë që u kemi prishur shtëpitë. Kanë afatin e tyre që nuk u kemi paguar qiratë.

Banoret për ndërtuesin: E hëngërt kanceri brez pas brezi dhe mos bëftë prokopi kurrë. Po vritemi. Po ndahemi nga burrat se i kam dhënë lekët Bert Kushes. Kam punuar 20 vjet në Greqi dhe i kam dhënë lekët Bert Kushes.

Kjo nuk është hera e parë që këta banorë protestojnë për të njëjtën arsye. Edhe më parë ata kanë kërcënuar se do hidhen nga taraca e ndërtesës por më pas edhe me ndërmjetësimin e policisë arritën një marrëveshje.

(m.k/ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb