Katër anëtarë të familjes Gega, më i vogli vetëm 1 vjeç, në zonën e Tufinës në Tiranë janë të “dënuar” të jetojnë në një banesë të vjetër një katëshe të rrënuar totalisht nga amortizimi dhe pesha e kohës. “Me gurë i kam mbyllur vrimat. Këtu kullon çdo gjë. Me legen e mbledh ujin e shiut. Kam sajuar çdo gjë vetë”, thotë nëna e re.


Këtu banon 30-vjeçarja Erjona Gega bashkë me tre fëmijët e saj, i madhi është Rei 10 vjeç, djali i dytë 4 vjeç dhe i vogli është një foshnjë 1 vjeç. Ata jetojnë me qira në një banesë të vjetër të kohës së diktaturës. Ajo është e vjetër, e rrënuar, me mure të krisura dhe tavane me harta të ndryshme lagështire për shkak se pikon. Ajo është e ftohtë, pasi mungon ngrohja dhe mbi të gjitha brenda saj prej vitesh të tëra është ulur këmbëkryq edhe varfëria. Kushtet janë aq të këqija sa dritaret u bien përtokë e minjtë “bashkëjetojnë” me fëmijët.



“Kushtet janë shumë të këqija, gropa-gropa është dyshemeja, i kam mbyllur vetë se këtu ca nuk dalin, kanë dalë deri edhe gjarpërinj të vegjël, kanë filluar të dalin nga toka, minjtë janë të shumtë”, tregon 30-vjeçarja.

Jeta e Erjonës nuk është aspak e lehtë qëkur bashkëshorti e braktisi një vit më parë dhe nuk e kontaktoi më duke e lënë me fëmijët në mëshirë të fatit. “Nuk e di ku është ai, kam pasur shumë ëndrra doja të bëhesha infermiere, mundësia nuk mu dha, ky është fati im”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Jeta e saj është tashmë ecejake mes shtëpisë dhe spitalit. Foshnja e saj i ka lindur me vrimë në zemër. Erjona tregon gjithë vuajtjet që ka hequr korridoreve të spitaleve ndërsa vogëlushi i saj luftonte me vdekjen. “Nuk kam pasur mundësi të paguaja qiranë dhe kam dalë edhe në mes të katër rrugëve bashkë me fëmijët”, thotë Erjona.

Ajo është e papunë pasi kujdeset për tre fëmijët. Papunësia i ka sjellë urinë, fatura të papaguara energjie dhe uji, e mbi të gjitha lista të gjata borxhesh në dyqanet e zonës. Tashmë listat kanë arritur limitin dhe askush nuk jep më veresie për to. “Stop më thonë nëpër dyqane, nuk të japim më”, shprehet Erjona

“Janë bërë fëmijët me hije, se thonë erdhi dita e qirasë, vjen pronari tek dera do lekët. Gjithsej përfitoj 60 mijë lekë të vjetra. Ditën që i marr paratë i blej fëmijëve për të ngënë. Pak para i jap qirasë”.

Ndërsa djali i saj Rei 10 vjeç, në klasën e katërt është kthyer në shtyllën e familjes. Djali del dhe mbledh bakër për t’i siguruar bukën e gojës familjes. Shpesh herë i është dashur të braktisë shkollën për të punuar.

“Mësuesja më tha hap librat që të jesh më i miri i klasës, unë nuk kam kohë t’i hap librat të mësoj. Dal mbledh bakër e kanoçe, mbaj vëllezërit me bukë. Ndonjëherë ruaj 200 lekë dhe ik në shkollë, kur nuk kam më ndihmojnë shokët. Çantën e shkollës e kam gjetur tek plehrat, edhe fletoret e përdoruara, gjej tek plehrat gjëra edhe tavolinën, e kam rregulluar me gozhda se atje mësoj ose ha bukë”, thotë Rei.

“Më del djali rrugëve, i madhi më është bërë si baba për fëmijët, kujdeset shumë për ta, i vë ne gjumë, ndërsa unë bëj ndonjë punë. Kam dy javë që nuk e kam dërguar në shkollë, nuk kam ca ti jap me vete, ai shikon shokët. Djali ka ëndrra thotë se nuk do më lejë asnjëherë vetëm dhe të vuaj. Në momentin që duan bukë u them prisni , sa ta shtyj kohën. I kam gënjyer por më kanë ndihmuar komshinjtë më sjellin pak supë, pak feta bukë. Edhe pastruese të jetë unë kërkoj një punë të mbaj fëmijët e mi. I lutem ‘Shqiptarëve për shqiptarët’ të më ndihmojnë. Dua vetëm një shtëpi të rri me fëmijët, mos të më bie dera orë e sekondë për qiranë, edhe pa bukë të rri unë dua të kem një shtëpi timen” thotë Erjona.

Erjona dhe djemtë pritën disa vizitorë të veçantë. Ata janë nxënësit e klasës së gjashtë e shkollës 9-vjeçare “Vatra e dijes” dhe moderatorja Ola Bruko.
“Ne kemi organizuar një panair, kemi mbledhur për ju disa fonde monetare. Ju duhet të gjeni forcën dhe të rrisni fëmijët tuaj. Ne thurëm 200 veror përgatitëm ushqime dhe i shitëm në shkollë. Këtë shumë që mblodhëm vendosëm t’ua dhuronim”, i thotë Erjonës një nxënëse. “Kjo ishte surprizë, ju falënderoj nga zemra”, thotë Erjona.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb