TIRANË – Një ekzekutim me armë zjarri i është bërë mbrëmjen e sotme, në orën 18:40, 38-vjeçarit Shkëlzen Leka, që pasi ka marrë disa plumba në kokë, ka humbur jetën rrugës për në Spitalin e Traumës.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Islam Alla”, në afërsi të rrugës së Kavajës, në restorantin ku ai ishte ulur. Leka, nga fshati Babrru i Tiranës, është goditur disa herë me armë zjarri nga një person që lëvizte me motor “Papaq” dhe që u largua me shpejtësi. Policia deklaroi paraprakisht se vrasja dyshohet si e paramenduar dhe ajo është kryer nga një person i maskuar. Njëherësh, saktësoi se gjeti në vendin e krimit, 8 gëzhoja.

Sipas gazetarit Spartak Koka, që raportoi nga vendngjarja, arsyeja kryesore e ekzekutimit mendohet se është hakmarrja, pasi Leka ka deponuar në polici kundër kreut të një bande, Gjin Nikës, duke e akuzuar atë për atentatin ndaj Gentian Kacit, ngjarje e ndodhur në rrugën “Don Bosko”.

Vetë Gjin Nika nga Peshkopia, i ashtuquajturi “kapoja i periferisë së Tiranës,” është vrarë disa muaj më parë me breshëri kallashnikovi pranë Urës së Tapizës.

Në vendngjarje shkuan drejtuesit më të lartë të Policisë së Tiranës ndërkohë që në të gjithë kryeqytetin, në hyrjet e daljet, u ngritën pika kontrolli.

ORA 22:00 POLICIA E TIRANES DEKLARON PARAPRAKISHT: VRASJA NGA PERSON I MASKUAR

Në orën18:42 minuta Salla operative e Policisë së Tiranës ka marrë njoftimin për një ngjarje kriminale të ndodhur në rrugën “Islam Alla”, në kryeqytet.

Menjëherë janë organizuar dhe dërguar shërbimet policore pranë vendit të ngjarjes, ku u konstatua dhe u morën masat për shoqërimin për ndihmë mjekësore, të të plagosurit Shkëlzen Leka, banues në Babru të Tiranës.

Një patrullë e Policisë e ka dërguar atë në spital, por 38-vjeçari ka ndërruar jetë pa hyrë në sallën e operacionit.

Ekspertët e kriminalistikës sekuestruan në vendngjarje mbi 8 gëzhoja pistolete dhe dëshmitë se autori i vrasjes që dyshohet me paramendim, ishte një person i maskuar.

Policia shoqëroi menjëherë gjithë dëshmitarët okularë në vendngjarje dhe rreth 15 persona të tjerë, të cilët mund të japin të dhëna të vlefshme për hetimin dhe po punon për identifikim e autorit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes,”- përfundon deklarata.

PERSE DYSHOHET HAKMARRJA NGA BANDA E GJIN NIKËS

Vrasja e Lekës ka ngritur dyshime të arsyeshme për hakmarrje ndaj tij nga banda e drejtuar dikur nga Nika për shkak të deponimit që ai ka bërë. Dëshmia e Shkëlzen Lekës kundër Gjin Nikës përmendet në Vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë, dt.25 shkurt 2014, ku ndër të tjera thuhet:

“Më datë 21 janar 2014, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, është paraqitur vullnetarisht për të dhënë deklarime, shtetasi i dëmtuar nga ngjarja, objekt hetimi, Gentian Kaci, i cili ka deklaruar se ai e ka njohur autorin kur është plagosur, por nuk ka treguar se kishte frikë. Sipas tij, autori kishte lidhje me policinë, prokurorinë dhe Gjykatën e Bulqizës. Kështu ai ka deklaruar se autori i plagosjes së tij është Gjin Nika. Ai e bëri këtë denoncim kur pas se i gjykuari ishte arrestuar nga policia për armëmbajtje pa leje.

Mbas deklarimeve të të dëmtuarit, kanë dhënë deklarime edhe dy shokët e tij, Alban Hyseni e Shkëlzen Leka. Edhe këta kanë deklaruar se e kanë njohur autorin, por nuk kanë treguar në atë kohë. Mbi këtë bazë është kërkuar arrestimi i të gjykuarit, duke qënë se ai qe në gjendje arresti për një vepër tjetër penale.”

(ar.sh/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb