TIRANË- Një person është marrë peng mbrëmjen e sotme tek Liqeni Artificial nga katër persona të armatosur. Sipas informacioneve të para personi që është marrë peng është 43-vjeçari Leonat Gavelli, me origjinë nga Berati.

Gazetari Spartak Koka tha se në orën 20:30 është njoftuar pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranë se ka ndodhur një pengmarrje tek nënkalimi i rrugës së re, Unazës së Madhe. Pas verifikimeve është arritur të bëhet edhe identifikimi, ndërkohë që Policia e Tiranës ka ngritur postblloqe në rrugët kryesore si dhe në ato hyrëse dhe dalëse. 43-vjeçari Gavelli nuk është një emër i panjohur për policinë dhe drejtësinë shqiptare, kjo pasi në vitin 2007, është akuzuar për trafik droge bashkë me vëllanë dhe kushëririn e tij. Mësohet se tre personat e armatosur pasi e kanë rrëmbyer me forcë 43-vjeçarin, u larguan me dy automjete, njëra prej tyre tip BMW.

Policia e Qarkut të Tiranës ka njoftuar edhe Drejtorinë e Qarkut të Elbasanit për të bashkëvepruar në ngritjen e pikave të kontrollit, pasi pengmarrësit mund të drejtohen në juglindje të vendit.

(ar.sh/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb