TIRANË- Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme arrestoi mbrëmjen e sotme, rreth orës 19:30 minuta, dy drejtues të Policisë së Komisariatit të Ndërhyrjes së Shpejtë, në Tiranë.

Të ndaluarit janë: Nevila Mamo, me detyre Shefe e Logjistikës në Komisariatin e Ndërhyrjes së Shpejtë, Tiranë dhe Genci Reçi, ish-Shef Shtabi në këtë Komisariat.

Mamo dhe Reçi akuzohen për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit pasiv” dhe “Falsifikimit të dokumentave”, parashikuar nga nenet 248, 159 dhe 283 të Kodit Penal.

Shtetasit e mësipërm nëpërmjet mekanizimit të falsifikimit të dokumentave kanë abuzuar me detyrën duke shpërdoruar fondet publike për një periudhë 2-vjeçare. Dëmi ekonomik i shkaktuar buxhetit, është mbi 6 milion lekë (të reja).

Arrestim i tyre u krye si rezultat i një hetimi disa-mujor nga ShÇBA-ja, Tiranë, në bashkëpunim me njësinë Task-Forcë, në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë.

Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit të Tiranës, për hetime të mëtejshme.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: