TIRANË- Një konflikt verbal për hapjen e një varri është bërë shkak për një vrasje jashtë murit rrethues të varrezave shtetërore të Sharrës.

Viktimë ka mbetur shtetasi Altin Çullhaj 38-vjeç, i cili është qëlluar me armë zjarri, tip pistoletë nga një banor i zonës. Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 15:25 minuta në rrugën ‘Ndre Zadeja’.

Gazetari Spartak Koka, raportoi nga vendngjarja se viktima Altin Cullhaj ka humbur jetën pasi është dërguar në Spitalin e Traumës.

Po sipas të njëjtave burime, mësohet se 38-vjeçari Çullhaj ishte punonjës i varrezave të Sharrës, ndërsa në momentin që ka nisur konflikti me 25-vjeçarin Tafa, banor i zonës, ai po hapte një varr. 25- vjeçari i ka kërkuar llogari se pse po e zgjeronte aq shumë varrin, ndërsa më pas kanë debatuar me njëri-tjetrin. Në debat e sipër i riu ka marrë armën dhe ka qëlluar mbi punonjësin e varrezave.

Referuar burimeve të policisë, e cila po heton në vendngjarje, bëhet me dije se autori i vrasjes, Eriglend Tafa, 25 vjeç është shpallur tashmë në kërkim.

Sipas gazetarit Koka, postblloqe të shumta janë ngritur në zonat e Ndroqit, Yzberishtit dhe Arbanës për të lokalizuar autorin e larguar në drejtim të paditur.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: