TIRANE- Pas publikimit në një emision televiziv të një videoje që tregon se si një punonjës policie i Qarkullimit Rrugor të Tiranës merrte ryshfet nga një drejtues mjeti, Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ka urdhëruar Drejtorinë e Inspektimit të Përgjithshëm që të verifikojë vërtetësinë e ngjarjes dhe sjelljen e policit në detyrë.

MPB bën të ditur se pas verifikimit të pamjeve, punonjësit të policisë Altin Çela i është komunikuar masa e pezullimit nga Drejtoria e Qarkut Tiranë dhe fillimi i ecurisë disiplinore nga Drejtoria e Standardeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Ministria e Brendshme njofton se materialet e çështjes në ngarkim të policit do t’i kalojnë prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

MPB inkurajon të gjithë qytetarët, që të denoncojnë çdo akt korruptiv apo të abuzimit më detyrën të punonjësve të Policisë së Shtetit në numrin pa pagesë 0800 90 90, duke theksuar vendosmërinë për të mos toleruar asnjë shfaqje të korrupsionit apo abuzimit me detyrën nga ana e punonjësve të Policisë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: