Një ditë pasi Valdrin Pjetri njoftoi dorëheqjen nga mandati i kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, fituar në Zgjedhjet Vendore të 30 qershorit, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi mbi verifikimet e nisura mbi pastërtinë e figurës së tij. Zoti Pjetri u akuzua të martën nga Partia Demokratike në opozitë se në vitin 2003 ishte dënuar në Itali për trafik droge dhe se ishte dëbuar nga vendi fqinj.

Duke iu përgjigjur një kërkese të Partisë Demokratike të datës 13 gusht 2019, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se “më datë 05.08.2019, ka regjistruar kërkesën për verifikim të detajuar të subjektit Valdrin Pjetri, dhe se ka filluar procesin e verifikimit të plotë e të gjithanshëm, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë” dhe se i ka kërkuar shtetasit Valdrin Pjetri “të depozitojë gjurmët e tij daktiloskopike pranë Institutit të Policisë Shkencore”.

Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se “që në daten 6 gusht ka dërguar pranë Drejtorisë së Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit, si dhe pranë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për verifikim të mëtejshëm nga autoritetet e drejtësisë italiane, duke u kërkuar këtyre të fundit vënia në dispozicion e çdo lloji vendimi penal të dhënë nga gjykata, vendim për masa sigurimi personale apo vendime dëbimi, në emër të shtetasit Valdrin Pjetri”.

Po sot, Kryeministri Edi Rama, përmes një statusi në twitter, reagoi pas vendimit të Valdrin Pjetrit për t’u dorëhequr nga posti i kryebashkiakut, pas akuzave të Partisë Demokratike. “Fshehja e ngjarjes, – shkruan Rama, – është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme!”

Kryeministri Rama, i cili gjatë viteve të fundit është akuzuar vazhdimisht për promovim të figurave të lidhura me krimin, u shpreh sot se është “Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje”.

Për Kryeministrin Rama, rasti Pjetri dëshmon nevojën që të nisë “verifikimi shtetëror i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur. Çdo vetëdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal. Përgjegjësia individuale s’mund të ketë më asnjë fije kosto kolektive”.

Në formularin e dekriminalizimit, paraqitur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kandidati socialist për Bashkinë e Shkodrës, Valdrin Pjetri, ka shënuar se nuk ka qenë asnjëherë i dënuar, as brenda e as jashtë vendit. Por, të marten e kësaj jave, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, paraqiti para mediave dokumente të ardhura nga Italia, që dëshmojnë se Valdrin Pjetri ka qenë i dënuar në Itali dhe, për më tepër, e ka mbajtur të fshehtë këtë dënim. Valdrin Pjetri rezulton të jetë arrestuar më 27 Janar 2003 në Firence, dhe një ditë më pas, përpara gjykatës, ka pranuar fajësinë.

“Ai është dënuar nga Gjykata e Firences, me vendimin e formës së prerë të datës 12 Qershor 2003, me 18 muaj burg dhe 1000 Euro gjobë, për veprën penale “shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope”, të kryer në bashkëpunim. Për shkak të marrëveshjes së pranimit të fajësisë, gjykata ka urdhëruar pezullimin e dënimit. Më datë 3 Shkurt 2003 Valdrin Pjetrit i është revokuar leja e qëndrimit dhe më datë 4 Shkurt 2003 ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga shteti italian”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi.

Sipas këtyre dokumentave, ligji i dekriminalizimit e ndalon Valdrin Pjetri për të ushtruar një funksion publik. Ndërkohë, ai rrezikon të akuzohet për “Falsifikim të dokumentave zyrare” dhe “Deklarim të rremë”.

Valdrin Pjetri ka një karrierë të gjatë në zyrat e shtetit shqiptar. Ai ka punuar në funksione të rëndësishme, fillimisht në qeverinë e demokratëve e, më pas, atë të socialistëve. Ndaj, nuk është e qartë se si ai ka arritur të mbijetojë kaq gjatë duke qenë një person i dënuar nga një gjykatë italiane për trafik të lëndëve narkotike.

Karrierën në strukturat shtetërore Pjetri e ka nisur që në kohën e qeverisë Berisha, ku nga viti 2010 deri në vitin 2014 ka mbajtur detyrën rëndësishme të Administratorit të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (ligji Anti Mafia dhe Financim Terrorizmi). Më pas ka mbuluar disa detyra drejtuese në Ministrinë e Mbrojtjes, deri në vitin 2018 kur u emërua drejtues i Hipotekës e më pas Prefekt i Shkodrës.

Rasti Pjetri shihet si këmbanë alarmi për nevojën e reformimit të sistemit të rekrutimit të zyrtarëve në administratën shtetërore ku faktet tregojnë se vazhdojnë të punojnë njerëz me precedentë penalë, të inkriminuar dhe korruptuar, por edhe njerëz që në të kaluarën kanë qenë pjesë apo bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit.

Valdrin Pjetri fitoi në Zgjedhjet Vendore të 30 qershorit duke qenë kandidati i vetëm në garën për kryebashkiak të Shkodrës. Opozita nuk mori pjesë në këto zgjedhje duke i cilësuar antikushtetuese, pasi Presidenti Meta kishte tërhequr dekretin për zhvillimin e Zgjedhjeve Vendore me 30 qershor.

Shkodra është bashkia ku, gjatë 28 viteve të fundit të pluralizimit politik, socialistët nuk kanë fituar asnjëherë postin e kryetarit të bashkisë. Vetëm në zgjedhjet vendore të vitit 1996, demokratët u mundën nga një forcë e re politike, e sapo shfaqur në skenën politike, “E Djathta e Bashkuar Shkodrane”. Ndaj demokratët, të cilët pas 30 qershorit, nuk drejtojnë asnjë bashki, po luftojnë fort për të ruajtur bastionin e tyre, Shkodrën.

Pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit, bëhet i paqartë skenari si do të funksionojë pushteti vendor në Bashkinë e Shkodrës, pasi kryetares së deritanishme, Voltana Ademi, i përfundon mandati më 20 gusht. Pas kësaj, ajo nuk ka të drejtë vendimmarrje dhe as të firmosë për pagat e rreth 1200 punonjësve të bashkisë.

Situata e paqartë pritet të reflektojë edhe në jetën e qytetit dhe qytetarëve të tij. Ndërkohë, forcat politike do të vazhdojnë përplasjet se kush do të drejtojë Shkodrën, qytetin që politika vazhdon ta dominojë prej gati 30 vitesh duke cënuar zhvillimin e natyrshëm të tij dhe vetë jetën e qytetarëve. /Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb