Nga: ERION SKENDAJ*TIRANE-Në Tiranë jo vetëm ushqimet por edhe ilaçet në farmaci kanë nisur të tregtohen me liste, fakt ky i pazakontë që pohohet nga vetë farmacistët. Por për profesionistët e sektorit farmaceutik shqetësimi më i madh është fenomeni në rritje i tregtimit të medikamenteve me kokrra, i diktuar nga vetë pacientet që thonë se për shkak të varfërisë nuk kanë me se të paguajnë kurën e plotë të përshkruar nga mjeku.

Mungesa e të ardhurave po i detyron gjithnjë e më shumë pacientet, kryesisht ata kronikë të heqin dore nga kura e plotë e medikamentit dhe të blejnë në farmaci ilaçe me kokrra njësoj siç veprohet me cigaret e hapura. Ky qytetar nga Tirana thotë se është i varfër dhe nuk mund të blejë të plote kurën e përshkruar nga mjeku.

“Mbetëm me gërshërë në dorë në quhemi prestar jo farmacistë. Gazetari i drejtohet pacientit, pse blini vetëm dy kokrra, pacienti kaq është mundësia financiare çfarë me ba, s’diskutohet ajo punë po nuk pate lek nuk blen dot asnjë send.”- shprehet një farmaciste.
Por trajtimi jo i plotë i kurës mjekësore për profesionistët e sektorit farmaceutik mbart rrisqe të mëdha për shëndetin e pacientit.

“Këtu vijnë na thonë më jep dy tre kokrra, ose sa kamë të rëndësishme unë, ose nëse receta ka tre preparate që pacienti duhet ti marrë të gjitha, thotë më jep vetëm një atë që kam më të rëndësishme unë, mbase bëhem më mirë, të shoh si do të bëhem dhe mos vij më vonë, Marrin ato një dy tableta dhe nuk vijnë më. Po kjo është shumë e dëmshme, se nuk e kurojnë dot sëmundjen, arrijnë vetëm në një fazë që lehtësojnë simptomat e sëmundjes por për ta kuruar nuk e kurojnë. Krijohet rezistencë ndaj preparatit pastaj, krijohet antibiotikorezistenca. Dhe atëherë çfarë ndodh, herën tjetër ky preparat nuk vepron më.”- shprehet Denisa Vrapi Kryetare e Sindikatës së Farmacistëve.
Vrapi thotë se edhe ulja e çmimit të ilaçeve në tregun farmaceutik nuk ka pasur ndikim përmirësimin e situatës.

“Vërtet disa medikamente janë ulur por edhe qytetarëve i ka rënë niveli ekonomik dhe prapë edhe me çmim të ulur nuk arrijnë dot ti blejnë ilaçet.”-sqaron Vrapi.

Një tjetër fenomen i pazakontë është edhe tregtimi i ilaçeve me liste sikundër ndodh rëndom me ushqimet dhe kjo dukuri e pranuar nga vetë farmacistët në mes të kryeqytetit.
“Listat janë shtuar nuk diskutohet kjo gjë”- shprehet Vrapi.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: