TIRANË –Unioni i gazetarëve të Shqipërisë është mbledhur në qendër të kryeqytetit në shenjë sensibilizimi në nder të kolegëve francezë të “Charlie Hebdo”.

 

Në homazhe morën pjesë edhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, si dhe vetë Ambasadori francez në Tiranë, Bernard Fitoussi.

 

“Ngjarja e rëndë që shokoi Francën ka goditur të gjithë botën e gazetarisë. Ata sot janë heronjtë tanë. Janë emblema e gazetarisë, e misionit për të mbërritur tek e vërteta”, u shpreh  Kreu i Unionit të gazetarëve, Aleksandër Çipa

 

Ambasadori Francez, Bernard Fitoussi, duke falënderuar pjesëmarrësit theksoi se vendi i tij është plagosur, por Franca sërish do të ringrihet në këmbë. “Sot Franca u plagos, por nesër do të ngrihet më e fortë. Falenderoj Shqipërinë dhe Shqiptarët që treguan sensibilitet të lartë karshi kësaj ngjarje”, tha ambasadori francez Fitoussi, i cili në vend të minutës së heshtjes kërkoi që të gjithë të pranishmit të këndonin himnin e  Shqiptërisë.

 

“Shqipëria është pranë Francës në këtë moment delikat. Sot fjalët janë të tepërta. Ne shprehim dhimbjen tonë dhe mbështesim popullin francez në këto çaste të vështira”, tha Ministri i Punëve të Jashtme, Ditrmir Bushati.

Gjatë ceremonisë pjesëmarrësit mbajtën qirinj në duar për nder të shpirtrave të dhjetë gazetarëve që humbën jetën pasditen e sotme në Francë, si dhe posterat me fotot e tyre.

 

Franca është tronditur këtë të mërkurë nga një sulm terrorist në revistën e përjavshme satirike “Charlie Hebdo” me zyrat qendrore në Paris, duke lënë 12 viktima dhe disa të plagosur. Viktimë e sulmit terrorist është edhe kryeredaktori i revistës Stéphane Charbonnier, ndaj të cilit janë kryer dhe sulme të mëparshme. Në 2011 dhe në vitin 2013 al’Qaeda kishte vendosur një çmim për kokën e tij, për shkak të karikaturave ironizuese ndaj profetit Muhamed tre vjet më parë.

 

(a.h/BalkanWeb) 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: