Mjaftoi një fanellë titullari që Gerhard Progni të rikthehet të jetë “bomberi” që tifozët dëshironin. Kundër Milsam-it, “7-shi” i korçarëve realizoi një supergol, një goditje e thatë brenda zonës që shkundi rrjetën e portierit por dhe të gjithë zërat kritik që e shihnin larg kampionëve. Goli i realizuar nga Progni ishte “qershia mbi tortë” e këtij suksesi historik që “Ujqërit e dëborës” arritën në arenën evropiane. Tashmë Progni dhe të gjithë lojtarët e Skënderbeut kanë mundësinë e artë të tregojnë vlerat e tyre në futbollin e madh, në futbollin evropian, aty ku luhet përballë më të mirëve.

Progni edhe një herë dha një sinjal të qartë se është një futbollist që e meriton të jetë pjesë e kampionëve të Shqipërisë, një futbollist i kompletuar, mbi të gjitha me një nuhatje të shkëlqyer përpara portës. Goli kundër Milsam-it ishte një konfirmim për trajnerin Josa, një siguri më shumë për sezonin e gjatë që i pret. Goli ishte dhe një falënderim për të gjithë ata, mbi të gjitha për tifozët dhe trajnerin, që besuan gjithnjë tek aftësitë e tij.
(er.shk/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb