Me Arsenal që ngeci në një “X-s” përballë Brentford, Liverpool përfitoi në maksimum duke thelluar diferencën me “topçinjtë”. Të kuqtë triumfuan 2-1 përballë West Ham duke e kthyer çështjen titull në një formalitet, çështje matematike dhe shifrat pasi t’i heqësh trofeun nga duart ekipit të Slot duket një mision i pamundur. Gjashtë javë përpara fundit, Liverpool e sheh vetën plus 13 pikë nga Arsenal.

Me rinovimin e kontratës në xhep, Momo Salah përshëndeti tifozët me një super assist për Luis Diaz, me sulmuesin kolumbian që e kishte të lehtë të dërgonte topin në rrjetë dhe të kuqtë në avantazh. Ky ishte goli i 45-të ku Salah merr pjesë, një rekord absolut që kur Premier League zhvillohet me 20 skuadra.

Liverpool kishte kontrollin e lojës, por një keqkuptim ndërmjet Van Dijk dhe Robertson prodhoi një autogol të pafat duke vendosur baraspeshën në “Anfeild”. Pavarësisht golit të pësuar, vendasit nuk e ulën ritmin, fillimisht goditën traversën me Luis Diaz, ndërsa në minutën e 89-të, Van Dijk gjatë zhvillimeve të një goditje këndi, me kokë dërgoi topin në rrjetë duke i dhuruar fitoren Liverpooli-t.

Pavarësisht se kanë prekur titullin me njërën dorë, Arne Slot nuk feston përpara kohe: “Në këto 33 ndeshje është parë se sa e vështirë ka qenë për ne fitorja, duket pak e çuditshme pasi kemi një diferencë të madhe pikësh me rivalët. Tani e dimë se për të fituar titullin na nevojiten vetëm 2 fitore. E dimë që nuk do të jetë e lehtë, por ne do ta provojmë me të gjithë forcat tona”, u shpreh Slot.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb