Nga: AURORA SULCE*
TIRANE – Shënohet një tjetër mosrealizim i investimeve publike. Të dhënat e fundit të Ministrisë së Financave tregojnë se edhe pas rishikimit të buxhetit dhe rialokimit të fondeve drejt projekteve me ecuri më të mirë, investimet sërish nuk janë realizuar. Kështu, plani i investimeve publike për muajin tetor ka qenë 10, 5 miliardë lekë, nga të cilat janë realizuar vetëm 6,7 miliardë lekë ose 36 për qind më pas se planifikimi.

Teprica rreth 3.8 miliardë lekë i është shtuar akumulimit vjetor të mosrealizimit të investimeve me gati 50 % të planifikimit fillestar të buxhetit të shtetit.

Mos realizimi i investimeve publike është konstatuar që në fillim të këtij viti buxhetor dhe është vënë re si te projektet me financim të huaj, ashtu edhe me të brendshëm. Duke parë mosrealizimin në masë të konsiderueshme, qeveria rishikoi buxhetin në mes të shtatorit, duke bërë rialokimin e 15 miliardë lekëve nga projektet ku kishte vonesa drejt atyre me ecuri të mirë, me qëllim që fondet të mos digjeshin.

Por të dhënat e fundit të Ministrisë së Financave tregojnë se edhe kjo masë nuk ka shërbyer për të zgjidhur ngërçin e mosrealizimit në kohë të investimeve publike. Një ecuri e tillë ka ndikim negativ në ekonomi. Së parti, qytetarëve iu mungojnë shërbimet që mund të siguroheshin nëpërmjet këtyre investimeve dhe së dyti, ekonomisë nuk i jepen stimujt e nevojshëm nga buxheti për tu rritur.

Qeveria ka parashikuar këtë vit një rritje ekonomike 2%, vështirë për tu arritur për një pjesë të ekspertëve, në kushtet kur të dhënat e rritjes së prodhimit të përgjithshëm kombëtar për dy tremujoret e parë të vitit nuk janë premtuese, ndërkohë që edhe zëri i investimeve publike, një ndër ushqyesit e rritjes ekonomike shënoi një tjetër performancë negative, dy muaj përpara mbylljes së vitit buxhetor.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: