Një tjetër operacion kundër kontrabandës së “arit të zi” ka rezultuar në gjashtë persona të arrestuar dhe vendosjen nën hetim të pesë të tjerëve.

Bëhet fjalë për shtetasit Mohammed Sallit, Ëissan Broud, Hassan Broud, Sami Shanta, Faez Ismaeil, Nedio Mejdani, ndërsa janë identifikuar e më pas shpallur në kërkim dy organizatorët, Juxhin Koka dhe Serxha Sula.

Policia njofton se nga kontrolli në anije, në balastrat që shërbejnë për balancimin e mjetit, u gjetën 400 000 litra naftë e dyshuar e kontrabanduar nga Tunizia.

Njoftimi: 

Në vijim të veprimeve policore, me qëllim goditjen e rasteve të kontrabandimit të sasive shumë të mëdha të naftës, nga Tunizia, me anije, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Durrës, Antikontrabanda dhe Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit të DVP Durrës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare e DPPSh-së, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Durrës, Guardia di Finanza Durrës, si dhe Dega e Doganës Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Ari i zi 2”.

Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit sirianë M. S., 56 vjeç, kapiteni i anijes, W. B., 42 vjeç, ndihmës i oficerit të parë, H. B., 47 vjeç, shefi i inxhinierëve, S. Sh., 25 vjeç, shefi i ofiçinës, F. I., 23 vjeç, mirëmbajtës i pompave të naftës, si dhe shtetasi shqiptar N. M., 34 vjeç, oficer i parë i anijes.

Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim organizatorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit J. K., 31 vjeç, banues në Tiranë, dhe S. S., 32 vjeç, banues në Durrës. Vijon intensivisht puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Më tej, gjatë këtij operacioni, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 5 pjesëtarë të tjerë të ekuipazhit të anijes, përgjegjës për mirëmbajtjen e mjetit.

Nga kontrolli në anije, në balastrat që shërbejnë për balancimin e mjetit, u gjetën 400 000 litra naftë e dyshuar e kontrabanduar nga Tunizia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb