ITALI- Në Itali vijon të flitet për Ermal Metën, por jo vetëm. Pas suksesit në festivalin e Sanremo me këngën e shkruar dhe të kënduar së bashku me Fabrizio Moro, “Ti nuk ke bërë asgjë për mua”, Ermal Meta nderohet sërish.

Këngëtari me origjinë shqiptare do të marrë çelësin e qytetit të Barit ndërsa që nga 7 prilli 2018, do ta shohim edhe në “Canale 5” ku do të jetë pjesë e jurisë së “Amici”, siç shkruajnë mediat italiane.

Lajmin e ka ndarë me ndjekësit e tij në Facebook edhe Ermal Meta, teksa tregon historinë e jetës dhe rrugëtimin drejt Italisë.

Ishte viti 1994 dhe isha 13 vjeç, erdha në një qytet që nuk e njihja. Kam takuar njerëz që nuk i kisha parë kurrë më parë dhe dëgjoja një gjuhë që nuk e flisja. “Mos merr ndonjë hap të gabuar”, i thosha vetes, gjithmonë shikoja këmbët e mia, dhe isha i kujdesshëm ku i vendosja. Mësova një gjuhë që nuk e dija dhe ngadalë fytyrat e të huajve u bënë miq. Qoshet e qytetit u bënë gjithnjë e më të njohura. Flisja pak, por ndjeja shumë.

Unë ecja duke parë këmbët e mia, e më dukej sikur në asfalt pasqyrohej qielli dhe vazhdimisht mendoja “çfarë do të bëhet me mua”? Atëherë hapat e mi një ditë u ndalën në dërrasat e drunjta dhe ngrita vështrimin. Isha në një skenë dhe dëgjova se ishte e vetmja gjë që doja të bëja, ky ishte i vetmi vend ku doja të isha.

E dija çfarë do të ndodhte me mua , kështu që fillova të fluturoja lart. Pas gjithë këtyre viteve qyteti i Barit më jep çelësat e tij dhe ndihem i nderuar dhe mirënjohës për t’i marrë ato. Ata nuk hapin dyer, por kujtimet e mia më të thella. Faleminderit shumë”, ka shkruar Ermal Meta.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb