Apeli i GJKKO ka lënë dyfishuar dënimin për ish-kryebashkiakun e Lezhës, Fran Frrokaj. SPAK kërkoi dënimin e tij me 4 vite burg, ndërsa sipas Apelit ai dënohet përfundimisht me 2.8 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar. Frrokaj u dënua për tjetërsimin e 66 mijë m2 tokë te “Rana e Hedhun” në bregdetin e Shëngjinit. Vendimin e mori sot (23 Dhjetor) Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Iliriana Olldashi si kryesuese, Dhimitër Lara dhe Florjan Kalaja anëtarë.

Çështja ishte regjistruar mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme dhe mbi ankimet e ish-kryebashkiakut Fran Frrokaj dhe 2 të tjerëve, ndaj vendimit të 1 marsit 2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë. Prokuroria kërkonte dënimin e tij me 4 vite burgim, që u pranua sot, i konvertuar në 2 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar.

Shkalla e parë e kishte dënuar me 2 vite burgim, të konvertuara në 1 vit dhe 4 muaj burg. Aktualisht do llogaritet nëse amnistia qëndron në fuqi edhe pas këtij vendimi të ndryshuar. Kjo pasi, Fran Frrokaj përfitoi nga amnistia në muajin prill 2024.

“Apeli vendosi në përfundim deklarimin fajtor të të pandehurit Fran Frrokaj për kryerjen e veprës penale “shpërdorimi i detyrës” dhe dënimin e tij me 4 vjet burgim. Në bazë të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, dënimin përfundimisht të rij më 2 vjet e 8 muaj burgim mbi bazën e gjykimit të shkurtuar. Frrokaj ishte liruar më herët pas amnistisë”, thuhet në vendim..

U deklarua fajtor edhe i pandehuri Bledar Cara, për kryerjen e veprës penale “shpërdorimi i detyrës”, dhe dënimin me 2 vite burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar bëhet në 1 vit e 4 muaj burgim. Gjithashtu heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një afat prej 5 (pesë) vjet. Cara kishte marrë pafajësi në shkallën e parë.

Shpallja fajtor u bë edhe ndaj të pandehurës Juzhina Mema, për kryerjen e veprës penale “shpërdorimi i detyrës”, duke e dënuar me 2 vite burgim dhe me gjykim të shkurtuar kthehet në 1 vit dhe 4 muaj burgim, që më tej konvertohet në shërbim prove për 5 vjet me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.

Po kështu humbet të drejtën e ushtrimit të funksioneve për 5 vite. Edhe Mema kishte marrë pafajësi në shkallën e parë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb