Gjykata e Durrësit ka lënë në burg 5 të arrestuarit në lidhje me tjetërsimin e pronave në Spitallë.
Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Haxhiaj.
Pesë personat e arrestuar, Lirim Xhameta, Dashnor Taulla, Ardit Kërtusha, Leonard Kadrimi dhe Gjovalin Ndoci, ranë në pranga si pasojë e një operacioni me urdhër të SPAK në kadastrën e Durrësit dy ditë më parë.
Hetimi për rastin nisi në 2023 mbi bazën e kallëzimit të Fiqiri Shabës, i cili pretendonte pronësinë mbi dy sipërfaqe toke, kur një ditë konstatoi se një pjesë e pronës ishte rrethuar nga një mur betoni. Kallëzuesi thotë nuk e dinte kush ishte zaptuesi, por hetuesit zbuluan se prona ishte shitur dy herë dhe i kishte kaluar një kompanie private.
Në kuadër të hetimit, prokuroria ka në gjurmët e Lirim Xhametës, një ish punëtor ferme, në emër të cilit ishte regjistruar 75 mijë metra katrorë tokë. Xhameta iu tha hetuesve se një person i identifikuar me emrin Diti i kishte premtuar se do ti bënte dokumentet për të përfituar 3 mijë metra tokë.
“Dy muaj më vonë, Diti më takoi dhe më dha një AMTP të paplotësuar. Më tha që duhet ta firmos”, tregon Xhameta.
Ai thotë se në një takim te tretë, Diti I kishte thënë që do ti jepte 200 mijë lekë në këmbim të pronës. “Shkova te noteri unw, gruaja dhe djali. Firmosëm një akt përfaqësimi në emër të një personi që nuk e njihnim dhe morëm paratë”, tregon Xhameta.
Sipas prokurorisë prona e regjistruar, e cila më pas është ndarë e tjetërsuar, edhe përfituar në mënyrë të paligjshme. Me të njëjtën skemë u regjistrua në emër të të ndjerit Dilaver Taulla sipërfaqja prej 76 mijë metrash katrorë dhe trashëgimtarët e tij e mësuan se ishin pronarë në 2010.
Edhe në këtë rast, Ardit Kërtusha iu mori kartat e identitetit trashgëmitarëve të Dilaver Taulla, duke iu premtuar se do tiu rregullonte pronë që iu takonte sipas ligjit.
Por nga hetimet rezulton se pronat ne emër të Xhametës dhe Taulla ishin regjistruar me dokumente të falsifikuara dhe më pas ishin futur në regjistrat kadastralë, me ndihmën e zyrtarëve te ASHK Leonard Kadrimi Aida Kila dhe Mikel Zaho.
Prokurori Pali Decolli zbuloi se skema e tjetërsimit të pronave shtetërore në Spitallë të Durrësit është shumë më e gjerë. Ai vendosi sekuestron mbi sipërfaqen prej 448.000 m2, e cila nga hetimet rezulton se është tjetërsuar përmes falsifikimit nga zyrtarë shtetërore.
(BalkanWeb)